Mesazhet e Brukselit; drejtësia e zgjedhjet, por shtoi hashashin

18/09/2017 00:00

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi në fund të vitit të kaluar të mos kishte një raport progresi për vitin 2017 për vendet kandidate nisur dhe nga fakti që ai do ishte një vit elektoral për shumë vende europiane.

Por, vendet e BE kishin lënë një dritare të hapur nëse kandidatët realizonin agjendat e tyre. Për Shqipërinë, reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme ishin kryesore. Por pas zgjedhjeve, duket se Brukseli ktheu vëmendjen tek hashashi.

“Është e qartë se çfarë lipset që të ndodhë sa u takon pesë prioriteteve, por në veçanti lidhur me gjithë aspektet e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit”, deklaronte ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

“Kam dëgjuar që kaloni reformën kushtetuese në drejtësi dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar kaloni vettigun dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar, bëni edhe zgjedhjet, pastaj zbatoni edhe Vettingun. Tani po dëgjoj edhe një gjë tjetër shumë interesante për mua, në kuptimin se ku do të dalë kjo; krimi etnik shqiptar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në Top Story-n e 14 shtatorit.

E vërteta duket është diku në mes. Ndoshta Kryeministrit në Bruksel a Berlin mund t’ja kenë përmendur hashashin dhe më herët, por në publik zyrtarët e BE risollën betejën kundër drogës vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve duke dhënë kështu sërish një mesazh, ndoshta të qartë për Qeverinë, por jo për shqiptarët.

Top Channel