Basha pret Pacollin: Mbështesim bashkimin doganor

15/09/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim zv.Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës Behghet Pacolli. Siç thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e PD, Takimi u zhvillua në një frymë vëllazërore dhe u diskutuan çështje të interesit të përbashkët.

Basha uroi Pacollin për detyrën dhe e siguroi se Partia Demokratike do të jetë në mbeshtetje dhe në bashkëpunim të plotë me qeverine e re të Kosovës dhe i uroi sukses në përballimin e sfidave të shumta në interes të Kosovës dhe popullit të saj.

Basha bëri një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku vuri theksin te nevoja jetike për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të vendit, ku me rëndësi kyçe janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Basha theksoi se për Partinë Demokratike, integrimi europian dhe interesi kombëtar do të jenë shtyllat kryesore të çdo qëndrimi të PD-së.

Kreu i PD theksoi se mbështet dhe nxit integrim sa më të thellë mes Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë kuadër përshëndet vullnetin për bashkim doganor, por theksoi se kjo bëhet me një angazhim të thellë e të plotë dhe josipërfaqësor.

Basha theksoi gjithashtu se Partia Demokratike do të mbështesë me çdo kapacitet diplomacinë e Kosovës me sfidat e saj ndërkombëtare të antarësimit në organizmat ndërkombëtarë.

Top Channel