Rama në ‘Top Story’, flet për Metën, Ruçin, reformat, Greqinë dhe kufirin me Kosovën

14/09/2017 00:00

“Dallga dihet dhe ai, qoftë në ujë, qoftë në breg, ai ecën me qetësi dhe maturi. Besoj se do të jetë si president, shumë më i mirë sesa si krye-parlamentar”, tha Rama për Ilir Metën.

Në intervistën e parë, pas fillimit të mandatit të dytë, Edi Rama foli në Top Story për raportet me Metën, por edhe për zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar i parlamentit.

“Nëse do të kishte marrë pjesë edhe opozita tjetër, në zgjedhjen e Gramoz Ruçit, do të kishte marrë edhe më shumë vota. Asnjë palë nuk do të mund të gjente një person më të përshtatshëm”u shpreh Rama.

Edhe pse Lulzim Basha e cilësoi të varrosur marrëveshjen e 18 majit, kryeministri foli me një ton tjetër.

“Është një marrëveshje, që në këndvështrimin tim, i duhet këtij vendi. Nëse Lulzim Basha ka bërë një gjë me vlerë për këtë vend, duke qenë kryetar i opozitës, ka qenë ajo marrëveshje”, tha Rama. 

Pas vendimeve të para të qeverisë, Edi Rama thotë se shërbimet publike do të reformohen tërësisht.

“Ne do të bëjmë një bashkim shumë të fortë të inspektoriateve, pra do bëjmë një inspektoriat të fuqishëm e të mirë-organizuar së brendshmi dhe mbi të gjitha, do të riorganizojmë të gjithë mënyrën sesi këto lloj strukturash raportojnë me qytetarët, si vihen në marrëdhënie me qytetarët”, u shpreh kryeministri.

Sa i takon politikës së jashtme, në 4-vjeçarin e ardhshëm, Rama u shpreh optimist për zgjidhjen e disa çështjeve shumë të rëndësishme me Greqinë.

“Në tavolinë është çështja e ligjit të luftës, çështja e lëvizjes së lirë, çështja e varrezave. Ka një vetëdije, edhe nga pala tjetër, që këto janë çështje që nuk mund të vazhdojnë të sillen nëpër këmbët tona dhe të na dalin përpara sa herë që ka një agjendë politike të nxehtë” tha Rama.

Në kuadër të Vitit të Skënderbeut, do të vijë edhe modernizimi i kufirit me Kosovën.

“Ne duam që më 1 janar, kufiri i Shqipërisë me Kosovën, të mos jetë më një torturë për bashkë-atdhetarët tanë nga ana tjetër e kufirit, sidomos në periudhën e pikut, por të jetë një kufi që të kalohet siç kalohet normalisht mes Gjermanisë dhe Francës. Besoj që mund ta bëjmë këtë gjë, që t’i çlirojmë më në fund njerëzit”, mbylli Rama. 

Top Channel