Skandal me shitjen e librave, çështja shkon në Prokurori

11/09/2017 00:00

Pas publikimit të skandalit me shitjen e librave shkollorë në Fiks Fare, ku çmimi i librave ishte tre fish më i lartë krahasuar me çmimin që referohet në listën e miratuar nga Drejtoria Arsimore e Rrethit, për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, u referuan materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

“R.M, 68 vjeçe, banuese në Burrel, pasi kjo shtetase duke pasur një aktivitet privat,  librari shkollore, dyshohet se  ka konsumuar elementët e veprave penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi” parashikuar nga nenet 180/a dhe 143, pasi  shtetasja e lartpërmendur nuk i’u ka lëshuar kupon tatimor disa klientëve dhe në kundërshtim me urdhrin nr 274 datë 18.05.2017  “Për përzgjedhjen, shpërndarjen, e shitjen e teksteve shkollore të klasave nga I – XII”, të sistemit arsimor për vitin 2017 – 2018”, thuhet në njoftim.

Në materialet referuar prokurorisë thuhet se kjo shtetase ka vepruar në kundërshtim me Pikën 1, gërma a, të këtij urdhrit ku thuhet se “Subjekte të liçensuara për shitjen e teksteve shkollore nuk u lejohet që bashkë me tekstet shkollore me hologramën e MAS-it, u shesin nxënësve tekste që si përkasin katalogut.

Emisioni investigativ Fiks Fare evidentoi skandalin që ndodh prej vitesh në rrethin e Matit. Fëmijët i paguajnë kompletet e librave trefish më shumë krahasuar me çmimin që referohet në listën e miratuar nga Drejtoria Arsimore e Rrethit.

Distributori i shpërndarjes së librave abuzon duke shtuar në kompletet edhe libra që nuk parashikohen ndaj fëmijët të detyruar t’i blejnë paguajnë më shumë. Jashtë kamerës shitësit thanë se librat shiteshin në komplete të paketuara e se nuk ndaheshin dot.

Top Channel