Misioni i Qeverisë së re, Rama: Fund barrës së burokracisë

10/09/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer “Sqarimit të Javës”, rubrikë e përjavshme e tij me ndjekësit në rrjetet sociale.

Ndryshe nga rubrikat që publikonte çdo të dielë deri para zgjedhjeve të 25 qershorit, rubrika e parë ishte një prezantim përmbledhës i programit të qeverisë “Rama 2”.

“Do të kemi një qeveri të re në koalicion me njerëzit e zakonshëm. Nesër në 10 paradite do të marr fjalën në Kuvend për programin e qeverisë dhe menjëherë pas besimit, qeveria do të nisë menjëherë nga puna me mbledhjen e parë, që do të shpallë vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe vendosë lehtësimet e para nga barra e burokracisë për shpatullat e njerëzve të zakonshëm”, thotë ai.

Rama risolli në kujtesë shembullin e certifikatave, ku Shqipëria prodhon 4.5 mln të tilla në vit.

“Më shumë certifikata të prodhuara në vit sesa vetë popullsia jonë brenda dhe jashtë vendit. 4.5 mln radha në vit vetëm për të vërtetuar që ti ekziston. Me certifikatën do të nisë eleminimi i dhjetra-mln udhëtimeve, radhëve dhe kontakteve me sportelet e zyrave të shtetit”, deklaroi ai.

Rama thotë se Qeveria e re është krijuar për të qenë një qeveri e qytetarëve në kuptimin më konkret të fjalës, ndërsa ndryshimi i strukturës së ekzekutivit, premton se do të shtrihet në gjithë mekanizmin e administratës.

“Është fillimi i një procesi ndryshimi kapilar që do të shtrihet në gjithë mekanizmin e shtetit dhe do të lehtësojë jetën e çdo qytetari në marrëdhëniet me administratën, do të ulë korrupsionin dhe do të rrisë transparencën, do të fuqizojë ekonominë, rrisë sigurinë dhe përshpejtojnë ecurinë europiane të vendit”, deklaroi ai.

Rama shprehu gjithashtu bindjen se Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit do të garantojë një bashkejetësë të shëndetëshme mes shumicës dhe pakicës në sallë.

“Dje kemi zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin më me përvojë në Parlament, që pa pikë dyshimi do të jetë garant i bashkëjetesës mes shumicës dhe opozitës në sallë. Keqardhje për sulmet e baltës ndaj kryetarit të ri të Kuvendit, që janë jehonë e zbraztisë që kanë karakterizuar opozitën për vite të tëra fatkeqësisht. Koha do ta tregojë ndryshimin e cilësisë në drejtimin e kuvendit, që nuk do të jetë më klubi i ligjeratave pa rend dite dhe pa kufij etikë dhe kohorë, në një lumë fjalësh, sipas hesapeve partiake personale të ligjvënësve”, u shpreh ai.

Top Channel