Në përfundim të seancës, Kryeministri Edi Rama doli përpara mediave, në të njëjtën kohë, kur nga Zyra e Presidencës, u shpërnda njoftimi për dekretimin e tij si Kryeminister.
Veç rëndësisë së atij momenti, Edi Rama u ndal dhe tek opozita dhe marrëveshja e 18 majit.
“Nëse opozita dhe kontestualisht PD do të jetë e ashpër, kjo nuk do të thotë se marrëveshja ka vdekur. Nëse do të shkelen principet e asaj marrëveshjeje, kjo është një çështje tjetër, por kjo mbetet për t’u parë. Unë personalisht nuk jam as optimist, as pesimist. Kam shumë kuriozitet të shoh si do të qaset opozita, e dalë nga një palë zgjedhje me një rezultat negativ, në një mandat të ri 4 vjeçar, për të bërë detyrën e saj si opozitë”, tha Rama.
Kryeministri, gjithashtu i rezervoi një falënderim edhe Presidentit Ilir Meta.
“E falënderoj Presidentin e Republikës për shpejtësinë me të cilën ka reaguar, duke e bërë të lehtë nga pikëpamja proceduriale, rrugën drejt seancës së ditës së hënë. Pastaj, sigurisht do të dëgjojmë me vëmendje të gjithë kundërshtitë e natyrshme të opozitës, do të mundohemi të reagojmë ndaj çka mund të jetë racionale dhe në përputhje me programin tonë dhe do të vazhdojmë të shpresojmë që opozita të jetë në këtë sallë, një sfidë e vërtetë për ne dhe jo një shprehje permanente e boshllëkut të ideve, e boshllëkut të programit, e boshllëkut të lidershipit, siç ka qenë në 4 vitet që shkuan”, u shpreh Rama.
Top Channel