PD-së i rrjedhin tre vota, Basha: I vodhën

09/09/2017 00:00

Me 80 vota pro, 40 kundër, 1 të pavlefshme, Gramoz Ruçi, për 4 vitet e ardhshme do të jetë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Numri i votave krijoi jo pak habi, pasi së paku 3 deputetë të PD-së kanë votuar në favor të kandidaturës së Ruçit, por Lulzim Basha, duke folur për Top Channel, jep një shpjegim tjetër për këtë.

-Zoti Basha, ju rrodhën tre vota…
Basha: Po kishe 4 hajdutë ti, ata kanë vjedhur me qindra mijëra vota në Shqipëri, e kishin shumë kollaj të vidhnin ato vota aty. Të jesh i sigurtë.

-Pra nuk është se kanë rrjedhur vota nga PD?
Basha: Lum si ju që besoni që ata që vjedhin qindra mijëra vota të shqiptarëve, nuk e kanë të vështirë të vjedhin e të tjetërsojnë votat e deputetëve.

-Atëherë, pse ia dhatë dorën?
Nuk ia dhashë unë, erdhi ai aty.
 
Duket se alibia e Bashës, është menduar që më parë, pasi Partia Demokratike nuk paraqiti asnjë propozim për pjestar të Komisionit Zgjedhor, duke i dhënë mundësi Bashës që në testin e tij të parë parlamentar, të gjejë justifikim për rrjedhje votash.
 
Nga ana tjetër, LSI, ndryshe nga PD, paraqiti anëtarin e saj në Komision, por nuk mori pjesë në votim. Për Kryemadhin, kjo nuk kishte të bënte me frikën e rrjedhjes së votave.

Top Channel