Rama mbledh grupin parlamentar, fton PD të votojë Ruçin

08/09/2017 12:20

Një ditë përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, Edi Rama mblodhi grupin e ri parlamentar të dalë nga zgjedhjet e qershorit.

Prova e parë e grupeve parlamentare do të jetë votimi i Gramoz Ruçit si kryetar i ri i Parlamentit, për të cilin Rama kërkoi nga Partia Demorkatike ta votojë si një ndër deputetët me më shumë eksperiencë parlamentare dhe në favor të një klime të mirë politike në Parlament.

“Kundërshtarëve tanë u them se nëse refuzojnë të votojnë Gramozin, refuzojnë të votojnë një herë deputetin më të vjetër dhe 100 herë se refuzojnë të kuptojnë se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u duhen topat e baltës së hedhur nga politika”, deklaroi Rama.
 
Mbledhjen e parë me grupin e ri parlamentar, Edi Rama e shfrytëzoi edhe për të njoftuar mënyrën sesi do të veprohet në vijim për qeverinë e re, por edhe për punën e socialistëve me zgjedhësit.

“Në Kuvend do të nisë një kapitull i ri i jetës parlamentare. Fillimjavën e ardhshme do të paraqesim në Kuvend qeverinë e re dhe programin e saj. Puna e grupit nis zyrtarisht nesër me seancën e parë të Kuvendit dhe do të vazhdojë intensivisht jo vetëm në Kuvend, por edhe në terrenin, ku skuadrat e deputetëve do të jenë të pranishme siç e kemi folur edhe më parë për të vijuar komunikimin me zgjedhësit”, u shpreh ai.

Pas fjalës së hapur, Kryeministri ka vijuar porositë për anëtarët e Grupit Parlamentar.

Burime nga mbledhja e Grupit Parlamentar i thanë Top Channel se Edi Rama ka qenë i prerë. Ai u ka thënë deputetëve se koha e emërimeve përmes lidhjeve të shkurtra deputetë-ministra ka marrë fund.

Çdo ministër, ka thënë Rama, do të mbajë përgjegjësi të plotë nëse bën diçka të tillë. Kryeministri lajmëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm të grupit parlamentar që do të monitorojë të gjithë procesin e emerimeve dhe do të sinjalizoje kreun e qeverisë për shkelje të kritereve profesionale, apo për shfaqje nepotike në proces.

Deputetët socialistë votuan për të zgjedhur Taulant Ballen kryetar të Grupit Parlamentar.

Top Channel