Fiks Fare: Skandal me shitjen e librave në Mat

08/09/2017 00:00

Emisioni investigativ Fiks Fare evidentoi skandalin që ndodh prej vitesh në rrethin e Matit. Fëmijët i paguajnë kompletet e librave trefish më shumë krahasuar me çmimin që referohet në listën e miratuar nga Drejtoria Arsimore e Rrethit.

Distributori i shpërndarjes së librave abuzon duke shtuar në kompletet edhe libra që nuk parashikohen ndaj fëmijët të detyruar t’i blejnë paguajnë më shumë. Jashtë kamerës shitësit thanë se librat shiteshin në komplete të paketuara e se nuk ndaheshin dot. “Librat e klasës së parë kushtojnë 50 mijë e 600 lekë, i kemi komplete, nuk i ndajmë dot” thotë shitësja. Abuzimi është i dukshëm.

Po t’i referohemi listës së afishuar në hyrje të shkollës një fëmijë i klasës së parë duhet të blejë vetëm 5 libra të cilat kushtojnë 18 mijë e 400 lekë të vjetra dhe jo 50 mijë e 600 lekë. Por distributori rrit vlerën e tyre duke i shtuar listës edhe materiale të tjera si fletore, lapsa , petëza etj dukë trefishuar çmimin përfundimtar. E njëjta situatë paraqitet edhe për klasat e tjera . Librat e klasës së tetë në listën e afishuar para shkollës kushtojnë vetëm 59 mijë lekë ndërsa në librari 74 mijë lekë të vjetra. Bashkëpunëtorja e Fiksit i kërkoi pronares së librarisë që t’ia ndajë kompletin, por ajo tha se nuk mund ta bënte një gjë të tillë, ” Nuk kam çfarë t’ju ndajë, të klasës së tetë kushtojnë 74 mijë lekë të vjetra, hajt se po t’i jap me 70 mijë lekë, por më poshtë nuk bëhet fjalë” thotë Razie Muharremi . Pas këtyre fakteve Fiks Fare ju drejtua Razie Muharremit, personit që ka të drejtën e shpërndarjes së librave në rrethin Mat.

Ajo e gjendur ngushtë pranoi se e bën këtë gjë pasi është konsultuar edhe me mësuesit” Po është e vërtetë për komplete, por unë e kam vendosur bashkë me mësuesit këtë gjë” tha znj.Muharremi.

Edhe pse Fiks Fare këmbënguli që kjo zonjë të tregonte një emër konkret, ajo nuk pranoi, “Ka tre ditë që kam nisur shpërndarjen nuk më ka pas ardhur ai i klasës, para një ore e kam vendosur dhe tani do filloj të jap edhe kupon tatimor” u justifikua ajo.

Fiks Fare për këtë skandal ju drejtua Drejtorisë Arsimore të Rrethit, Mat. Drejtoresha Arjana Rami tha se ishte në dijeni të situatës e cila sipas saj kishte vite që ndodhte.” Ne e njohim shumë mirë problemin, por nuk kemi autoritet mbi distributorin, nuk e di kush duhet ta kontrollojë, unë ju kam bërë thirrje edhe tatimeve që ta kontrollojnë. Për këtë punë do takoj Prefektin dhe distributorin në Peshkopi dhe shpresoj t’i japim zgjidhje problemit” tha ajo.

Top Channel