Bushati: Ballkani kërkon BE-në

08/09/2017 00:00

Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në Talin të Estonisë, me ftesë të shefes së Politikës së Jashme të BE-së, Federica Mogherini dhe homologut të tij estonez Sven Mikser. 

Në këtë takim ishin të ftuar edhe ministrat e Jashtëm të vendeve të tjera kandidate për në BE. Diskutimet u përqendruan në parandalimin dhe luftën kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Bushati informoi në këtë takim mbi masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe shprehu mbështetjen e vazhduar të Shqipërisë me politikën e BE-së për adresimin e sfidave të sigurisë.

Po ashtu, Bushati theksoi faktin se në Ballkanin Perëndimor nevojitet një prani e shtuar e BE-së për përballjen e sfidave të përbashkëta dhe ngushtimin e hendekut në zhvillimin midis Ballkanit dhe Europës nëpërmjet instrumentave financiarë të procesit të zgjerimit.

Gjatë qëndrimit në Talin, Bushati zhvilloi edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Top Channel