LSI, Kryemadhi mbledh grupin: Integrimi në rrezik, do jetë prioriteti ynë

07/09/2017 00:00

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka drejtuar këtë të enjte mbledhjen e parë të grupit parlamentar, gjatë të cilës ka paraqitur programin që do të ndjekë kjo parti gjatë legjislaturës së re.

Prioriteti numër 1 i LSI-së, siç ka thënë dhe vetë Kryemadhi, do të jetë integrimi europian, një projekt ky që sipas saj po venitet çdo ditë e më shumë.

“Do punojmë për integrimin europian, që shqiptarët e duan më shumë se çdo gjë tjetër. Këtë iniciativë qeveria çdo ditë e më shumë po e zvogëlon”, ka deklaruar Kryemadhi.

Ajo ka theksuar se, LSI do të jetë në opozitë me keqqeverisjen, “që po u ofrohet çdo ditë e më shumë qytetarëve”.

“Do të paraqesim iniciativa ligjore domethënëse, që gjithashtu çdo ditë e më shumë po bëhen të domosdoshme për jetën e vendit”, ka thënë Kryemadhi, e cila ka nënvizuar se në këtë drejtim në fokus do të jetë edhe ligji për konçesionet.

“Pozicionimi ynë si parti opozitare është shumë i qartë dhe do të jetë e vetmja opozitë e vërtetë për shqiptarët”, ka vijuar Kryemadhi.

Ajo ka shtuar më tej se “deformimi i votës në zgjedhje” do të jetë një motiv më shumë për të punuar për fuqizimin e institucioneve dhe vetë opozitës, për të kundërshtuar keqqeverisjen që sipas saj rrezikon të kthehet në një situatë të pakontrollueshme.

Top Channel