Vetëm 3 ditë përpara dekretimit të qeverisë së re, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një tjetër mbledhje informale me kabinetin e ri qeveritar, në format të ngjashëm me atë të mbajtur në Llogara javën e kaluar.

Edhe kjo mbledhje qeverie, në të cilën do të marrin pjesë edhe Gramoz Ruçi, si emri i propozuar për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë; dhe Taulant Balla si i propozuari për kreun e grupit parlamentar, do të zgjasë dy ditë dhe do të nisë pasditen e së mërkurës.

Në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme, mënyrën sesi do të funksionojë shkrirja e ministrive dhe institucioneve përkatëse në kohën kur plani i punës është hartuar dhe ngritja e grupeve të ekspertëve që do të merren me impementimin e saj deri në fund të muajit dhjetor.

Ky takim mbahet vetëm pak ditë përpara seancës së parë të Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, thirrur për të shtunën e 9 shtatorit në orën 10.

Top Channel