Bushati në SEECP: Tri rreziqe për rajonin

05/09/2017 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë takimit të Ministrave të Jashtme të Procesit të Bashkepunimit të Europës Jug-Lindore, që u mbajt në Slloveni, është ndalur tek tre rreziqet, që sipas tij i kanosen rajonit.

“Rreziku i parë është që zgjerimi mos të konsiderohet më si objektiv parësor i përbashkët, rreziku i dytë është që rritja e bashkëpunimit politik në rajon të mos ketë impakt konkret në jetën e qytetarëve tanë; ndërsa rreziku i tretë ka të bëjë me tendencën e re për të sakrifikuar shtetin ligjor në altarin e stabilitetit”, u shpreh Bushati.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit, kreu i diplomacisë shqiptare ka nënvizuar se ka ardhur koha që ky proces të ketë një kalendar dhe afate.

Ndërkaq, në një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ministri Bushati shprehu besimin se progresi i Shqipërisë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe prioritetet e qarta të qeverisë së re shqiptare në fushën e integrimit, krijojnë kushte të mira për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Edhe në këtë takim, Kosova ka qenë një pikë debati. Ministri Bushati ka kërkuar që edhe Kosova të jetë pjesë e tryezës, kërkesë kjo që është mbështetur dhe nga disa shtete të tjera, por është kundërshtuar nga Serbia.

Gjatë këtij takimi është formalizuar dhe mekanizimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor, një nismë në kuadër të Procesit të Berlinit. Në krye të saj është konfirmuar diplomati shqiptar Gjergji Murra, ndërsa është miratuar dhe fondi prej 300 mije eurosh që do të shërbejë për këtë institucion, selia e të cilit është në Tiranë.

Top Channel