Alket Rizai bëhet “bamirës”, mbledh fonde për vogëlushen e sëmurë

04/09/2017 00:00

Midis emrave që kanë mbledhur para për kurimin me një terapi për kancerin në një klinikë në Londër të një vogëlusheje greke nga Kreta ka qenë edhe i burgosuri shqiptar Alket Rizai.

Nga burgu i Dhomokosë, ku vuan dënimin, vitet e fundit ai ka bërë një fushatë bamirësie tek të gjithë të burgosurit dhe ka mbledhur një shumë parash në ndihmë të familjes së tetëvjeçares greke.

Më pas i ka telefonuar babait të vajzës dhe i ka thënë se ka mbledhur një shumë parash nga një grup i madh të dënuarish të këtij burgu për shpenzimet e terapisë.

Madje, për të dalë këto para në mënyrë të ligjshme nga burgu Rizai ka kërkuar edhe një urdhër ministri, në bazë të ligjit, që do të bënte të mundur që këto para të shkojnë në llogarinë bankare të familjes së vajzës.

Lajmin e kanë transmetuar edhe shumë kanale private të cilat kanë mësuar hollësi nga avokati i Alket Rizait, Sakis Kehajoglou, i cili ka cituar fjalët e tij në këtë përpjekje: “Ajo që ka rëndësi është të shkojë vogëlushja dhe të bëhet mirë. Gjithë të tjerat janë pa vlerë”.

Edhe gjyshi i vajzës së sëmurë, e cila quhet Evangjelia Kastrinaki, nga Agia Marina në Hania të Kretës, i ka falenderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar financiarisht mbesën e tij dhe në mënyrë të veçantë Alklet Rizain, për të cilin ka thënë se një gabim që ndoshta ka bërë në moshë të re nuk mund të fshehë një shpirt të ndjeshëm dhe bujar.

Top Channel