Droga, Basha: Rama, luftë false nën presionin e BE

31/08/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se po trumbeton një luftë false kundër drogës, i trembur nga paralajmërimet e faktorit ndërkombëtar.

“Nën trysninë ndërkombëtare dhe përpara rrezikut të ndalimit të lëvizjes së lirë dhe integrimit për shkak të krimit të organizuar dhe drogës, Rama po trumbeton një luftë false kundër drogës me shfaqje televizive”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, marifeti është shënjestrimi i figurave të parëndësishme, ndërkohë që kokat e krimit të organizuar gëzojnë mbrojtje dhe pandëshkueshmëri.

“Por çfarë e demaskon vullnetin e vërtetë politik të Ramës është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme. Promovimi i tyre është triumf i krimit të organizuar në politikë”, ka vijuar Basha.

Ai ka kujtuar se, që nga viti 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA Ruçit për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Ndërsa “Fatmir Xhafaj është një tjetër figurë e diskredituar, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykara e Lartë e Italisë si një nga kokat e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës”, ka vijuar kreu i PD.

Nga ana tjetër, ka shtuar ai, disa deputetë të tjerë të afërt me Ramën janë gjithashtu të lidhur me krimin dhe drogën.

“Mposhtja e krimit të organizuar me mbështetje dhe lidhje politike është sfida kryesore që duhet të kapërcejë Shqipëria. Kjo kërkon vetëdijësimin dhe bashkimin e të gjithë njerëzve që duan një vend normal, pa krim e drogë, me mundësi për të jetuar ndershëm”, ka shtuar Basha.

Top Channel