Tensione në Himarë, plani vendor miratohet në Kuç

30/08/2017 00:00

Në Këshillin Bashkiak të Himarës, më 25 gusht, kundërshtarët e projekteve që do të miratonte këshilli, reaguan dhunshëm.

Në krye të protestuesve ishin Fredi Beleri, kryetari i Omonias Himarë dhe biznesmeni Nikollaq Neranxi. Por, në kushtet kur mbledhja rrezikohej sërish të prishej, Këshilli Bashkiak dhe kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, vendosën që mbledhjen e radhës ta mbanin në fshatin Kuç, i cili me ndarjen e re territoriale është pjesë e kësaj bashkie.

Ambienti ku do të mbahej mbledhja u mor në ruajtje nga Policia e Shtetit. Edhe në Kuç nuk munguan përplasjet, ku banorët edhe një herë tentuan të hynin në sallën e improvizuar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Por, tentativat për të prishur mbledhjen nuk zgjatën shumë, pasi anëtarët e PBDNJ-së u larguan nga mbledhja, e bashkë me ta dhe protestuesit e mbërritur nga Himara.

Mbledhja vijoi normalisht, ku të pranishëm ishin këshilltarët e PS, PD e LSI, të cilët diskutuan dhe miratuan me konsensus mbi planin e përgjithshëm vendor të Himarës, që pritet ta transformojë rrënjësisht këtë zonë.

“Shumë shpejt edhe ata do të kuptojnë që këto që po bëjnë nuk kanë qenë të mira dhe të sakta. Plani që miratuam sot, do të jetë instrumenti i tyre i vetëm që të marrin leje, sepse deri më tani ata nuk mund të zhvillohen”, tha pas miratimit të planit, kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.

Top Channel