Synimet e “Rama 2”: Ekonomia, punësimi, dialogu me opozitën

27/08/2017 00:00
Foto arkiv

Edi Rama e ka të qartë tablonë e kabinetit të tij qeveritar por edhe mënyrës se si do ta drejtojë vendin përgjatë këtij mandati të ri 4 vjeçar. E ndonëse mandatin e dytë qeverisës e fitoi më shumicë votash, i vetëm me 74 vende në Parlament, Edi Rama e përshkroi edhe më të vështirë se i pari, ku për 4 vite u detyrua të bashkëqeverisë me LSI.

“Ky do të jetë mandati më i vështirë….”, u shpreh Rama  si për të treguar se premtimet e fushatës nuk do të mbeten vetëm të tilla deri në 2021, duke shtuar se tiparet dalluese të qeverisë së re i ka gati.

“Tipari themelor i këtij mandati kuqezi duhet të jetë gjallë a vdekur besnikëria ndaj interesave të vendit dhe ndaj çdo njeriu të zakonshëm. do jemi një parti, grup parlamentar dhe qeveri besnike ndaj tyre. Më tej vullneti I palëkundur politik për reformat. Kjo dmth se do të qeverisim me kurajo përballë çdo rezistence për ruajtjen e status quo-s. Tipari dallues i yni nga të tjerët, afrimi i njerëzve të rinj në qeverisje në të gjitha nivelet dhe administrim. Na duhet një tipar që nuk na mungon por duhet ta forcojmë, disiplina shembullore në zbatimin e strategjisë së komunikimit, partia grupi qeveria si një fuqi e vetme. Një tipar që të gjithë kemi krenarinë ta konsiderojmë tipar të qeverisjes së derisotme është dinjiteti në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha Rama.

Por nga asambleja kombëtare e PS, kryeministri i shtroi dorën e bashkëpunimit edhe opozitës, me shpresën se marrëveshja e 17 majit të vijojë në të mirë të vendit, ndonëse edhe pritja sipas tij nuk do të jetë pa limit.

“Gatishmëria e vazhdueshme e dialogut me opozitën por pa lënë asnjë punë të sotme për nesër. Opozitës do t’i shtrijmë dorën në çdo hap por s’do qëndrojmë në vend duke e pritur…”, theksoi ai.

Dhe ashtu siç premtoi në fushatë, kur sulmonte partitë që mendojnë për tepsitë dhe zyrat e shtetit të mbushura me militantë, edhe pas fitores Edi Rama kërkoi nga qeveria e re luftë dhe aksione në çdo front e zyrë shteti, që qytetarët të mos e ndjejnë më peshën e administratës.

“Ulja e peshës së administratës në jetën e shqiptarëve dhe kompanive e bizneseve. Do sulmojmë në të gjithë frontet e punës, me të gjitha forcat tona duke kryer operacione intensive në çdo zonë të infektuar të organizmit shtetëror. Do marrim operacione kundër korrupsionit”, u shpreh kryeministri.

Edi Rama iu rikthye edhe një herë programit 1 miliardë për rindërtim, këtë herë edhe më i bindur nga dëgjesa publike me qytetarët, duke premtuar se ai do të zgjerohet edhe më shumë.

“Do të nisim punën që këtë javë me ministrin e ri dhe parlamentin për ta zgjeruar programin 1 miliardë, duke çuar një qasje të re buxhetore për ujin, shkolla dhe spitalet…”, tha Rama.

Duke kërkuar nga ministrat e kabinetit të ri qeveritar aftësi vetëkritike, Edi Rama foli për një marrëveshje paraprake me ta.

“Ministrat do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi joformale por parimesh, normash për t’u respektuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar në raport me asamblenë kombëtare dhe grupin parlamentar”, vlerësoi Rama.

Gramoz Ruçi do të drejtojë 4 vitet e ardhshme Kuvendin e Shqipërisë, një drejtues të cilin Rama e quajti të natyrshëm ndërsa Taulant Balla, i cili lajmëroi edhe strukturën e re të parlamentit dhe komisioneve, u zgjodh nga kryesocialisti si kreu i ri i grupit të PS. Ashtu si shkrirjet e dikastereve kyçe, edhe institucionet kryesore në vend, agjencitë apo ndërmarrjet do t’i nënshtrohen tashmë risktrukturimit.

Top Channel