Mandija njeh ndërkombëtarët me raportin për zgjedhjet

18/08/2017 00:00

Zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija zhvilloi këtë të premte takime me përfaqësues të zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri, zyrës së Këshillit të Europës dhe OSBE-së.

Në këtë takim, Zv.Kryeministrja në mbyllje të mandatit të Task Forcës u dorëzoi personalisht partnerëve ndërkombëtarë materialin përmbledhës për zgjedhjet, shoqëruar me të gjitha anekset, informacionet dhe raportimet zyrtare të ministrive.

Mandija falënderoi partnerët ndërkombëtarë për ekspertizën e tyre, ndërkohë që sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e zv.kryeministres partnerët ndërkombëtarë e përgëzuan për punën e kryer gjatë drejtimit të Task-Forcës.

Në këto takim, zv.Kryeministrja Mandija shpreh besimin se “raporti është një pikë referimi për kryerjen e ndryshimeve të nevojshme në kuadrin ligjor me qëllim përmirësimin e standardit të zgjedhjeve dhe nxitjen e subjekteve zgjedhore për të hequr dorë njëherë e mirë nga fenomeni i shit-blerjes së votës dhe përdorimit të elementëve dhe grupeve kriminale në zgjedhje”.

Top Channel