Përgatitjet për garat në Tajvan, metroja bëhet fushë sporti

01/08/2017 00:00

Pasagjerët e metrosë në Taipei u shtirën sikur po luanin bejzboll, notonin apo vraponin në vagonët e trenit që janë modifikuar si arena sportive në kuadër të Universiadës së Verës që do të zhvillohet këtë muaj në qytet.

Falë efektit 3D, vagonët e metrosë u shndërruan në fusha futbolli, basketbolli, bezjbolli dhe pistë vrapimi. Por më shumë entuziazëm ngjalli vagoni pishinë, ku pasagjerët madje u shfaqën me kostume banjoje për të bërë një foto.

Duket se efekti i pishinës ishte kaq i vërtetë sa aty erdhi edhe një sirenë. Universiada është një event i madh sportiv që zhvillohet dy herë në vit, në verë dhe dimër, duke mbledhur studentë nga e gjithë bota që konkurrojnë në sporte të ndryshme.

Organizatorët thonë se vetëm lojërat olimpike ia kalojnë në shifra Universiadës. Kjo është hera e parë që ky event sportiv zhvillohet në Tajvan dhe ishulli po përgatit një përvojë që do të lërë gjurmë tek pjesëmarrësit dhe spektatorët nga 19 deri më 31 gusht.

Top Channel