Ndalimi i transgjinorëve, zyrtarë të ushtrisë: Nuk kemi direktivë nga Departamenti i Mbrojtjes

27/07/2017 00:00

Transgjinorët nuk do të ndalohen të shërbejnë në ushtrinë amerikane, të paktën jo deri kur presidenti t’i japë udhëzime Pentagonit.

Në një postim të papritur në tëitter, të mërkurën, presidenti Donald Trump lajmëroi se qeveria nuk do t’i lejojë ata të shërbejnë në asnjë post.

Por, zyrtarët e ushtrisë thonë se do të vazhdojnë të trajtojnë të gjithë personelin me respekt. Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane,

Gjenerali Mark Milley, tha se nuk kishte dijeni për vendimin e presidentit, për të ndaluar individët transgjinorë të shërbejnë në ushtri, para postimit në Twitter.

“Deri më tani, unë nuk kam asnjë udhëzim apo direktivë nga Departamenti i Mbrojtjes dhe gjenerali Mattis. Ne rritemi dhe mësojmë t’i bindemi zinxhirit të komandës. Ndaj ne do të punojmë për implementimin e udhëzimeve, kur ato të mbërrijnë tek ne”, tha gjenerali Mark Milley, shef i shtabit të ushtrisë amerikane.

Lëvizja e Trump, duket se inspirohet edhe nga disa eksponentë konservatorë të republikanëve dhe ka krijuar një pasiguri të madhe për pjesëtarët transgjinorë të ushtrisë, që sipas raporteve, janë me mijëra.

Ishte administrata Obama ajo që lejoi personat transgjinorë që të shërbenin hapur në ushtri, për të parën herë.

Ndryshimi u lajmërua në qershor 2016 dhe duhej të hynte në fuqi më 1 korrik 2017, por administrata Trump e vonoi atë edhe me gjashtë muaj të tjerë.

Top Channel