Trump në ‘siklet’, sanksione të reja ndaj Moskës

26/07/2017 00:00

Dhoma e përfaqësuesve në Kongresin Amerikan votoi për të vendosur sanksionet të reja kundër Rusisë, pavarësisht kundërshtimit të presidentit Donald Trump.

Sanksionet e reja shënjestrojnë zyrtarë të lartë rusë si ndëshkim për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet e 2016-s në SHBA. Nuk ka dyshim se ligji do të ndërlikojë ndjeshëm shpresat e presidentit Trump për të përmirësuar raportet me Rusinë. Ligji duhet të miratohet edhe nga senati para se të dërgohet për tu firmosur nga presidenti.

Shtëpia e Bardhë bëri me dije se po e rishikon ligjin, por nuk është e qartë nëse presidenti do të përdorë veton kundër tij. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se presidenti mbështet sanksione të ashpra kundër Koresë së Veriut, Iranit dhe Rusisë, por ligjin në fjalë po e shqyrton me kujdes dhe pret dorëzimin e paketës finale në tryezën e tij.

Raportet e Trumpit me Rusinë kanë qenë tema kryesore e gjashtë muajve të tij të parë në detyrë mes akuzave se Moska ndërhyri në zgjedhje për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit. Dhoma e përfaqësuesve në Kongres miratoi bindshëm sanksionet e reja ndaj Rusisë, me 419 vota pro dhe vetëm 3 kundër dicka që e vështirëson shumë përdorimin e veteso nga presidenti.

Vetë kreu i dhomës republikani Paul Ryan tha se sanksionet e reja ashpërsojnë qëndrimin amerikan ndaj kundërshtarëve më të rrezikshëm për të garantuar sigurinë e amerikanë.

Top Channel