Trump para “boy scout”-ëve, nuk mundet t’i rezistojë politikës

25/07/2017 00:00

Pas një tjetër dite sfiduese në Uashington, presidenti Donald Trump fluturoi drejt Virxhinias Perëndimore për të folur para një turme prej rreth 40 mijë bojskautësh, e duke u thënë atyre se ishte shumë i lumtur që e kish lënë pas Uashingtonin.

“Kush dreqin do të flasë për politikën?”, tha Trump në fillim të fjalës së tij, duke u thënë të rinjve se donte tu fliste për rrugët e realizimit të ëndrrave të tyre. Por, sidoqoftë, nuk mundi t’i rezistonte politikës në një ditë në të cilën ai u stërmundua ti lutej senatorëve republikanë që të votonin planin e tij të kujdesit shëndetësor dhe duke parë dhëndrin e tij që copëtohej në Capitol Hill për kontaktet me Rusinë.

E kështu, nuk u desh shumë kohë që Trump të kalonte nga inspirimi tek denigrimi. Ai i tha të rinjve se media ishte e pandershme dhe se nuk do të tregonte numrin real të tyre në televizion, ai rikujtoi netët e fitores së tij në zgjedhje por edhe kritikoi paraardhësin e tij Barack Obama, që nuk kishte ardhur asnjëherë në podiumin në të cilin ai ndodhej, ndërsa ishte në detyrë.

“Fake media do të thotë; presidenti Trump foli para një turme të vogël bojskautësh sot,..por çfarë turme është kjo….fake media, fake news…. Unë kam edhe një pyetje…a ka ardhur ndonjëherë presidenti Obama këtu….?”, tha Trump.

E gjithë kjo, ka zemëruar jo pak prindër, me një prej të cilëve që shkruante në mediat sociale: Nuk ka më bojskaut për fëmijën tim, sepse ai nuk ka përse të dëgjojë një gënjeshtar që shpalos egon e tij…Shumë prindër të tjerë, përmendnin vlerat e organizatës 107-vjeçare dhe thoshin se Trump i kish shkelur ato.

Top Channel