Kriza në Ukrainë, SHBA: Mund të furnizojmë me armë Kievin

25/07/2017 00:00

Përfaqësuesi i ri i posaçëm i SHBA për Ukrainën ka deklaruar se Uashingtoni po shqyrton nëse të dërgojë armë në ndihmë të trupave që luftojnë kundër rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Kurt Volker tha për BBC se armatosja e trupave qeveritare ukrainase mund të bëjë që Moska të ndryshojë qasjen e saj. Ai shprehu bindjen e tij se një lëvizje e tillë nuk do të përbënte një provokim për Kremlinin.

Javën e kaluar Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të dy palëve të përfshira në konflikt që t’i kushtonin vëmendje armëpushimit të brishtë në lindje të Ukrainës.

“Armët mbrojtëse, që do t’i lejonin Ukrainës të mbrohej dhe të eleminonte tanket për shembull, faktikisht do të ndihmonin për t’i dhënë fund kërcënimeve të Rusisë në Ukrainë”, tha Volker për BBC.

“Nuk dua të bëj parashikime se ku do të shkojmë nëse bëjmë një gjë të tillë, kjo do të kërkonte një diskutim dhe thellim të mëtejshëm, por mendoj se argumenti se do të provokonte Rusinë ose do t’i jepte forcë Ukrainës do të ishte një hap pas”, shtoi Volker.

Ai theksoi se, vendosja e paqes në Ukrainë është një proces që do të kërkojë një dialog strategjik me Rusinë. Volker, ish-përfaqësues i përhershëm i SHBA në NATO, u caktua në këtë detyrë të re më herët gjatë muajit.

Top Channel