Selami: Kthej PD shpejt në pushtet

20/07/2017 00:00

Eduard Selami thotë se është në gjendje që ta rikthejë shumë shpejt Partinë Demokratike në pushtet nëse i besohet drejtimi i saj.

“Një nga dështimet më të mëdha tonat si forcë politike është fakti që partia më e madhe në Shqipëri është partia “Për t’u larguar nga Shqipëria”, me 56% dhe 50% e këtyre janë të rinj. Kjo është përgjegjësia dhe ky duhet të jetë standardi  ynë. Me këtë duhet të matemi ne dhe unë kam bindjen që historia jonë dhe krenaria jonë si demokratë është që ta kthejmë edhe njëherë Partinë Demkoratike në parti të shpresës së shqiptarëve dhe demkoratëve”, tha Selami.

Në epilog të fushatës elektorale për t’u zgjedhur kryetar i Partisë demokratike, Eduard Selami u tha demokratëve të Kamzës dhe Kavajës se modeli që ai ofron është model i vlerave dhe besimit, mungesa e të cilave çuan në rrudhjen e kësaj partie në zgjedhjet e fundit.

“Kjo nuk është një humbje e radhës. Kjo është një humbje besimi dhe humbja e besimit në radhë të parë është humbja e besimit tek njëri-tjetri. Kemi kohë që nuk funksionojmë më si forcë politike bashkëkohore. Kur kemi mbyllur rrugën e vlerave, do të dalin këta të veseve dhe do të bëhet konkurrenca se kush shan më shumë, që t’i hyjë në qejf kryetarit, që të zgjidhet lart. E shikoni sesi deformohet? Pra ne nuk po konkurrojmë më me vlera dhe do fillojmë të rrudhemi siç po rrudhemi. Kemi qenë parti e parë, s’jemi më. Ishim rrotë më rrotë, kemi dalë me dy shifra. Jemi në mes, po na afrohet ai prapa”, u shpreh ai.

Top Channel