
Lezha ofron një vijë bregdetare shumë të frekuentuar nga turistët.
uke nisur nga Rëra e Hedhur në kufi me Velipojën për të vazhduar në Shëngjergji, Kune, Vain, Tale dhe Patok. Por në stinën e nxehtë pushuesit shfrytëzojnë më shumë detin dhe rërën çka rrit ndjeshëm nevojën për më shumë shërbime shëndetësore dhe rojet bregdetare.
“Është një plazh shumë i mirë, është punuar mjaft” – shprehet një pushuese nga Tirana. Por pushuesit vërejnë se në këto plazhe mungojnë rojet bregdetare.
Mungesa e shërbimit të ambulances në Tale vihet në pah edhe nga mjeku i ambulancës së njësisë Shënkoll, i cili thotë se ambulanca duhet të jetë me shërbim 24 orë për pushuesit.
“Nuk bëhet fjalë që të mos ketë shërbim shëndetësor të paktën 12 orësh. Unë mendoj që duhet të jetë 24 orësh, me mjek dhe infermiere, me automjet transporti por që aktualisht është e pamundur nga ana jonë. Kërkesën e kemi bërë në DSHP, kemi biseduar dhe në mbledhje me drejtorin e shëndetit publik”, thotë mjeku.
Ndërsa në Shëngjin për të gjithë pushuesit është zgjidhur çështja e shërbimit shëndetësor. Pushuesit aty marrin shërbimin jo vetëm nga qendra shëndetësore e përhershme por edhe nga ajo 24 orëshe e vendosur në shërbim të plazhit.
Mjekja e qendrës shëndetësore thotë se po përballen me një fluks të shtuar rastesh në këto ditë të nxehta.
“Fluksi i pushuesve në bregdetin e Shëngjinit ka arritur në shifrat maksimale. Kuptohet që sa më i lartë të jetë fluksi aq më i lartë do të jetë dhe numri i rasteve që paraqiten pranë qendrave shëndetësore për të marrë shërbimin e duhur”, thotë mjekja e ambulancës Shëngjin, Domenika Kapllaj.
Ditët e fundit janë hasur disa raste të rrezikut nga mbytja në bregdetin e Lezhes, 1 prej të cilave rezultoi fatale për një pushuese nga Kosova.
Top Channel