Burgu kthehet në muze

07/07/2017 00:00

Neim Pasha nga Lopësi i Tepelenës i mbijetoi 21 viteve burgim dhe është  përpjekur gjatë  gjithë  jetës të  rrëfejë  të  vërtetën e të  përndjekurve politikë  gjatë  viteve të  diktaturës.

Megjithëse ai nuk ka qenë  mes personave që  vujatën dënimin në  kampin famëkeq të  përqëndrimit “Reparti 84”, ai ka takuar shumë prej të  burgosurve që  jetuan 6 vite tmerri në  këtë  kamp të  vendosur përballë  Tepelenës. I njohur edhe si “Aushvici” i Shqipërisë,  kampi që  grumbulloi rreth 5000 persona prej prillit të  1949 deri në  mars të  1954 ishte simboli më  i madh i terrorit edhe për popullsinë  përreth.

“Çfarë ka qënë ky kamp? sa jetë njerëzish ka marrë, sa tortura? pse nuk bëhet diçka për këtë? U fol shumë në fillimet e demokracisë, se plagët e këtyre njerëzve do shëroheshin, se memoria do të zinte vendin që i takon duke bërë një memorial”, rrëfen Neim Pasha, ish i burgosur politik.

Myrdare Sadikaj jetoi 30 vjet në  internim dhe rriti atje 4 fëmijë  pas pushaktimit të  të  vjehrrit, ish komandat i Ballit Kombëtar për krahinën e Lopsit, arratisjes së  kunatit dhe pas burgosjes dhe zhdukjes së  të  shoqit.

“Vjehrrin ma vranë, burrin ma morën, vija paraqitesha në fshat, prisja në radhë”, rrëfen Myrdare Sadikaj, ish e burgosur dhe internuar.

Në  memorje të  këtyre kujtimeve dhe ngjarjeve që  tronditën Tepelenën e asaj periudhe bashkia e qytetit në  bashkë punim me disa ministri dhe Autoritetin e Hapjes së  Dosjeve kërkon  të  rindërtojë  si muzeum këtë kamp.

“Në nder dhe kujtim të të gjithë atyre që kanë humbur jetën, veçanërisht 300 fëmijë, të krijohet ky lloj memoriali ku do të mbillen rreth 300 pemë. Jo vetëm do të jetë një vend pelegrinazhi për familjarët, që kanë jetuar, përjetuar vuajtjet e kësaj diktature, po dhe t’i shërbejë të gjithë të rinjve që nuk njihen me këtë pjesë të errët të historisë sonë”, thotë Aleksandër Toti, zëdhënës i bashkisë  Tepelenë.

Ringritja e kampit për të  risjellë kujtimin e mijëra familjeve kryesisht nga veriu i vendit që  vuajtën punën e detyruar në  prerje dhe transport druri për 6 vjet mendohet se do ta kthejë  këtë  vend në  një  prej objekteve më  të  vizituara të  turizmit historik të  zonës.

Top Channel