Vlahutin: Rama, mandat reformash

30/06/2017 00:00

Shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin e sheh shumicën e votave për PS-në si një mandat të qartë për reforma.

Në një intervistë dhënë për “Deutsche Welle”-n, ambasadorja e Bashkimit Europian u bën jehonë komenteve të Federica Mogherinit dhe Johannes Hahn, duke theksuar faktin që zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, e nga kjo, qytetarët shqiptarë përfituan sipas saj një ofertë të gjerë politike, në një stad me rëndësi të procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Tani, pas votimeve, – thotë Vlahutin, – puna jonë si Delegacion i BE-së është të përqëndrohemi te reformat që duhen zbatuar, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt anëtarësisë së plotë”.

“Ne presim, në këtë kuptim, që qeveria e re të rimarrë përgjegjësi të plotë për reformat, meqë kjo votë ishte në njëfarë mënyre mbështetje për programin e reformave. Mendoj që shumica e analistëve në Shqipëri e shohin si të tillë dhe kjo është një përgjegjësi shtesë, për gjithë ata që janë zgjedhur nga populli shqiptar”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë.

Duke e evidentuar Reformën e Drejtësisë si prioritare në këtë moment, ambasadorja kujton se ajo ajo ka qenë pjesa qëndrore e përpjekjeve të bllokut gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, për arsyen e thjeshtë se, pa shtetin e duhur ligjor, vendi nuk mund të përparojë si shoqëri, si ekonomi, por edhe në ambiciet e veta për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian.

“Janë caktuar komisionet e rivlerësimit, – kujton ajo. – Vëzhguesit ndërkombëtarë janë përzgjedhur, ndërtesa (ku do të kenë selinë institucionet e Vettigut) po mobilohet, e po hartohet rregullorja. Shkurt, rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve do të nisë shumë shpejt. Si një pjesë kyçe e nismës, ai duhet gjithashtu të dëshmojë me rezultate, besueshmërinë e përpjekjeve për reforma”, vazhdon Vlahutin, ndërsa thekson më tej se një mandat i fortë nënkupton edhe përgjegjësi shumë të madhe.

Top Channel