Zonja e parë kryeson opozitën, ikën Vasili: Kryemadhi në krye të LSI

29/06/2017 00:00

Pas vetëm 57 ditësh në krye te LSI-së, Petrit Vasili jep dorëheqjen nga ky post. Në një dalje për mediat pas mbledhjes se kryesisë, Vasili argumentoi vendimin e tij, duke u ndalur tek pozicioni i ri që merr tashme LSI në opozitë.

“Ky rol i ri kërkon energji të reja, intensitet të lartë edhe se më parë. Në këtë funksion unë jap dorëheqjen si kryetar i LSI. Ja kam paraqitur këtë propozim Kryesisë së LSI-së. Kam marrë besimin e saj për të drejtuar grupin Parlamentar”, u shpreh Vasili.

Petrit Vasili hoqi dhe te gjitha dyshimet per pasuesin e tij.

“Në funksion të këtij dinamizmi të ri të partisë t’i propozojë LSI nga ana ime zonjën Monika Kryemadhi si kandidate për LSI bazuar jo thjesht në pozicionin e zv/kryetares, por në radhë të parë për cilësinë politike të jashtëzakonshme”, tha Vasili.

Për të nuk ka asnjë pengese për faktin se bashkëshortja e presidentit të zgjedhur Ilir Meta do të jetë dhe kryetare e partisë së parë që doli në opozitë.

Është natyrshëm në pozicionin ku ajo duhet të ndodhet. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të LSI. Aktualisht ka një pozicion të ri, që nga pikëpamja e organizative i jep një dimension të jashtëzakonshëm LSI. Për të cilën LSI-ja ka nevojë, sepse LSI ja kërkon. Besoj se jemi tërësisht në atë drejtim që LSI duhet të ecë dhe ka, e do të ketë njeriun e duhur për ta bërë këtë gjë”, thekson Vasili.

Veç Kryemadhit janë propozuar dhe Luan Rama në postin e zv/kryetarit dhe Erisa Xhixho në atë të nënkryetares, poste këto qe pritet të votohen ditën e mërkurë kur do të mbahet dhe Konventa Kombëtare e LSI.

Top Channel