Selami në “Top Story”: Në humbje ndikoi lista personale e Bashës

28/06/2017 00:00

Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami, i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel ka deklaruar se humbja e PD në zgjedhjet e 25 qershorit ishte e pritshme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, Selami ka nënvizuar se disfata ka ardhur së pari për gabime të brendshme të PD dhe lidershipi i saj, që sipas tij shkelën statutin e partisë.

Sokol Balla: Zoti Selami, a ishte i papritur ky rezultat i dobët i Partisë Demokratike?

Eduard Selami: Shenjat dukeshin, kishte një qetësi që nuk më pëlqente. Në 2013-n ne dolëm në opozitë dhe nuk e morëm mesazhin e popullit. Ishim një opozitë me kokën prapa dhe rezultati nuk është befasues.

Sokol Balla: Është thënë se Basha nuk i shpëtoi dot hijes së rëndë të Berishës dhe ndikimi i tij duket se ishte lista e 25 qershorit, ku u latë jashtë ju dhe figura të tjera historike të PD. A ndikoi lista e Bashës në humbje?

Eduard Selami: Si mund ta quash dalje nga hija kur lista u hartua në mënyrë personale? Nuk u zbatua statuti. Unë e kam mbështetur listën sepse ishte shumë vonë. Kur ne të vendosim meritokraci dhe konkurrencë do të mund të ndryshojmë dhe të sjellim një frymë të re. Basha e kishte këtë rast dhe nuk e përdori, prandaj jemi këtu. Duhet ta vendosë baza listën, jo demokrati, as socialisti.

Sokol Balla: Ju morët pjesë në fushatë. Sa e vështirë ishte të merrje pjesë kur ju e dinit që nuk do të ishit pjesë e Kuvendit?

Eduard Selami: Aspak. Problem nuk është kjo, problemi është kultura. Po guxove të kundërshtosh kryetarin je jashtë. Kjo është një histori e shëmtuar sepse nuk është çështje personash, por çështje demokracie. Nëse ia pret dikujt, je në autoritarizëm dhe jo në demokraci.

Sokol Balla: Ju jeni përfaqësuesi i parë i PD që flisni pas humbjes. Ata që e njohin PD thonë se është një makineri e vërtetë elektorale. Pra, baza e PD është ndër më aktivet të saj. Përse nuk funksionoi?

Eduard Selami: Të mos harrojmë se 20 kryetarë të degëve rajonale të PD u hoqën pa u lajmëruar fare. Këto janë probleme që kemi prej 20 vjetësh. Marrim rastin tjetër me pushtetin lokal. Zgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkie është kompetencë e bazës, nuk u bë kështu. Prandaj duhet një debat i pastër, jo për t’i drejtuar gishtin një njeriu, por për të bërë gjërat më mirë.

Sokol Balla: Mungojnë 200 mijë vota dhe ka një përputhje mes 200 mijë votave që i mungojnë PD-së dhe 200 mijë që mungojnë në shkallë kombëtare. Duket sikur 95 për qind e atyre që nuk kanë shkuar në votime janë mbështetës të PD. Basha tha dje se rezultati u cënua nga shit-blerja e votave, por ato vota thjesht kanë ndenjur në shtëpi. A e besoni këtë tezë të Bashës?

Eduard Selami: Nuk mund të mohosh një fenomen të shëmtuar si shit-blerja e votave që ekziston në Shqipëri dhe këtu është fajtore edhe PD, edhe PS, edhe LSI. Këto janë disa probleme që vetëm duke zgjidhur problemet e brendshme do të mund t’i zgjidhim. Por kjo nuk mund të përdoret si alibi. Nëse ne duhet të kthehemi në forcë shprese, ne duhet të vendosim më parë rregull në shtëpinë tonë.

Sokol Balla: Keni qenë kritik

Eduard Selami: Kemi një bllokim partiak, që është rasti më i keq. Çadra për shembull ishte një marrëzi kolosale, ishte vendimi ekstrem për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Si mund ta bësh këtë? Duhet të fshihet ky mentalitet.

Sokol Balla: Ju thatë se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen, përse?

Eduar Selami: Sepse gara (për kryetar) duhet të bëhet e barabartë. Megjithatë, ky është një sugjerim. Po të isha në vend të zotit Basha, unë do ta kisha dhënë dorëheqjen. Por ky është vendimi i tij.

Sokol Balla: Ju keni pasur një thyerje përballë zotit Basha, kur nuk u zgjodhët sekretar i përgjithshëm

Eduard Selami: Jo, unë nuk e shoh kështu.

Sokol Balla: A jeni penduar për vendimin tuaj në vitin 2013?

Eduard Selami: Jo. Aspak. Ishte e vetmja mënyrë për të bërë një jetë politike.

Sokol Balla: Mendoni se gara për sekretar të përgjithshëm ishte e ndershme?

Eduard Selami: Them që po.

Sokol Balla: Mendoni se Arben Ristani, që fitoi kundrejt jush, mund të jetë garant i një gare të tillë?

Eduard Selami: Zoti Ristani e kishte nisur që prej 6 muajsh këtë synim, kurse unë u futa në sekondën e fundit.

Sokol Balla: Mendoni se hyrja juaj në garë ishte më tepër një zbukurim?

Eduard Selami: Jo, nuk mendoj kështu.

Sokol Balla: Çfarë mund të ketë ndikuar kaq shumë në këtë rënie drastike të PD në 25 qershor, marrëveshja Basha-Rama? Apo çfarë tjetër

Eduard Selami: Kam bindjen se ishte përplasja me Perëndimin. Them se zoti Basha, me mungesën e eksperiencës luajti pak më shumë se ç’duhej. Gjithashtu, PD ndjek një model që duhet të eleminohet: ‘kush kundërshton kryetarin, hiqet’. Kjo duhet të ndryshojë.

Sokol Balla: Zoti Basha tha se do të dalë në bazë. Nëse ky model dështoi në shkallë kombëtare, si mund të vazhdohet kështu?

Eduard Selami: Kam bindjen se do të kem mundësi të bashkëpunoj me bazën dhe kam shpresën se ky problem do të zgjidhet.

Sokol Balla: Ju keni qenë shumë kritik ndaj qëndrimit të PD në lidhje me reformën në drejtësi, por kur vjen puna tek aktiviteti juaj publik shumë rrallë kujtojmë që ju të keni folur në Parlament. Dikush mund të pyesë, cila është pjesa e aksionit të zotit Selami në këto 4 vite opozitë të PD?

Eduard Selami: Kam edhe unë pjesën time. Por, duke mos qenë pjesë e lidershipit të grupit parlamentar rrjedhimisht je jashtë. Përse duhet t’u bashkohem unë atyre sherreve? Kjo është natyra ime, kam të mirat dhe të këqijat.

Sokol Balla: A i druheni një ndërhyrjeje të Berishës në procesin e zgjedhjes së kryetarit?

Eduard Selami: Jo, nuk i druhem.

Sokol Balla: A do ta takoni?

Eduard Selami: Po.

Sokol Balla: Është pak a shumë e njëjta situatë kur kandiduan Basha me Olldashin, kur Berisha e shprehu hapur mbështetjen për Bashën

Eduard Selami: Nëse zoti Berisha mendon se zoti Basha është personi që duhet të vazhdojë drejtimin e PD, kjo është e drejta e tij dhe mua nuk më mbetet qejfi.

Sokol Balla: Nëse Berisha del dhe thotë se demokratët duhet të votojnë Bashën, ju mendoni se keni ende shanse të zgjidheni?

Eduard Selami: Po. Për mendimin tim kjo është çështje vizionesh. Zoti Berisha ka preferencat e tij dhe nuk ka pse ta fshehë mbështetjen për Bashën.

Sokol Balla: Nuk mendoni që ka ardhur koha që PD duhet të çlirohet nga tutela e Berishës?

Eduard Selami: Nëse PD nuk çlirohet nga tutela e kujtdo, atëherë kjo do të jetë e gabuar.

Sokol Balla: Ju e quajtët marrëzi çadrën, çfarë e vlerësoni Republikën e Re?

Eduard Selami: E kam quajtur një marrëzi për faktin se vendosi për të mos shkuar në zgjedhje, por kauzat e saj ishin të drejta. Unë u shkëputa kur u vendos bojkoti i Parlamentit.

Sokol Balla: Si e gjykoni marrëveshjen e 17 majit?

Eduard Selami: Unë e kam përshëndetur marrëveshjen, sepse hymë në zgjedhje.

Sokol Balla: Çadra humbi për kauzat e saj, apo u ngrit për të mbrojtur papërgatitjen e lidershipit të PD në zgjedhje?

Eduard Selami: Nuk e shoh kështu, por kur çadra doli për të bllokuar Parlamentin, atëherë unë humba kontaktin me çadrën sepse është turp të bojkotosh parlamentin.

Sokol Balla: Disa nga kërkesat e çadrës u plotësuan. Pra, praktikisht u arrit qëllimi për të ndryshuar qeverinë por jo kryeministrin. Në njëfarë mënyre pati një tutelim të administratës. U zbut edhe klima e zgjedhjeve. Nuk mund t’ia mohoni këtë meritë zotit Basha

Eduard Selami: Nuk po ia mohoj.

Sokol Balla: Ç’do të bëni ju nëse zgjidheni kryetar? A do mbani pjesë nga projekti i Republikës së Re, duke filluar nga emri i saj?

Eduard Selami: Nuk është çështje emrash. Unë do të mbaj ato gjëra që janë pozitive për të çuar përpara Shqipërinë. Do të marrim mendime nga të gjithë. Ka dy mënyra për të ecur përpara, duke zgjedhur të keqen më të vogël, apo të mirën më të madhe. Për të arritur të dytën duhet punë dhe përkushtim.

Sokol Balla: Mendoni se ka një handikap në sistemin ku po garoni?

Eduard Selami: Ka një anomali të madhe në këtë sistem që quhet parlamentar. Ky është një sistem partiak, sepse anëtarët e tij janë deputetë liste që nuk përfaqësojnë popullin. Unë në PD do të krijoj grupin e punës, këshillin kombëtar, do të vë në punë ato departamente që nuk funksionojnë dhe do të bëjmë një opozitë konstruktive për qytetarin, që nuk është bërë.

Sokol Balla: Si do ta ndaloni ju zotin Berisha të dalë në skenën Parlamentare? Apo edhe kundërshtarët tuaj që i lënë atij hapësirë?

Eduard Selami: Parlamenti e ka edhe këtë anë, por puna është të mos shkohet në 90 për qind të kësaj. Parlamenti e ka shifrën e miratimit 22 për qind, shumë e ulët. Mosqenia aty është handikap, por nuk është e pakapërcyeshme.

Sokol Balla: Marrëveshja e 17 majit ka edhe një pjesë tjetër që shkon pas zgjedhjeve të 25 qershorit e që përfshin administratën, reformën kushtetuese, etj. Të dyja palët duket se ranë dakord për të korrigjuar disa gjëra. Ju a do t’i qëndroni kësaj marrëveshjeje?

Eduard Selami: Çdo lloj marrëveshjeje që i shërben integrimit dhe forcimit të institucioneve do të përfshihet në projektin tonë dhe natyrisht do të përfshijmë edhe partitë e vogla.

Sokol Balla: Pra, ju nuk e mbështesni bipolarizmin?

Eduard Selami: Jo. Jam për një rregullim të sistemit.

Sokol Balla: Ju keni pasur mundësi të njiheni me marrëveshjen?

Eduard Selami: Jo.

Sokol Balla: Nëse zgjidheni kryetar, gjatë qëndrimit në opozitë do të keni kontakte me LSI?

Eduard Selami: Sigurisht që po.

Sokol Balla: Ç’mendim keni për Ilir Metën?

Eduard Selami: Jam i zhgënjyer nga deklaratat e tij të fundit. Një presidenti nuk i takon.

Sokol Balla: Ç’do të bëni nëse humbisni?

Eduard Selami: Do të vazhdoj të jap kontributin tim në PD. Ka shumë gjëra që mund të bëhen dhe jam optimist se do të arrijmë t’i kthejmë PD dinjitetin dhe ditët më të mira. Unë e ndjej këtë gjë dhe jam i bindur se do ta bëjmë dhe jo kundër kërkujt.

Top Channel