Pas 6 vitesh, Bashkia e Kavajës i takon sërish një demokrati, duke i dhënë Isa Sakjes një mandat 2-vjeçar.

Ndonëse me një diferencë prej vetëm 28 votash, ai u shpall fitues duke lënë pas Dorjan Muratin e Partisë Socialiste dhe Maksim Konën e LSI-së. Për Sakjen, kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme, e luftuar deri në votën e fundit.

“Falenderoj çdo njeri, të majtë e të djathtë, që besoi se Kavajës i duhet ndryshimi. Falenderoj popullin e Kavajës, Luzit, Golemit, Synejt që e kuptuan se Kavajës i duhet një energji tjetër, një energji pozitive”, tha Sakja.

Premtimi i parë që u dha kavajasve pas fitores ishte bashkimi i elektoratit dhe vënia në shërbim të qytetarëve: “Ne do ta bashkojmë qytetin, do ta bëjmë një, të majtë e të djathtë. Jemi në krye të bashkisë për t’i shërbyer qytetit. Boll i ka shërbyer qyteti atyre që kanë qeverisur”.

PD rikthehet kështu në krye të Bashkisë së Kavajës pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit Elvis Rroshi nga ligji i dekriminalizimit. Procesi i numërimit gjatë të martës u shoqërua me tensione, ndaj në Kavajë shkoi edhe vetë ministri i Brendshëm. Pas shpalljes së fitores, orët e para të mëngjesit Sakja dhe Murati janë përshëndetur me njëri-tjetrin.

Ndërsa Basha, me një postim në rrjetet sociale e ka cilësuar një “lajm të mrekullueshëm që vjen nga kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë. Isa Sakja u zgjodh kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës! Urimet e mia më të përzemërta qytetarëve të Kavajës për këtë ngadhnjim mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave! Mirënjohje të thellë demokratëve të Kavajës dhe kryetarit Sakja për këtë fitore ogurbardhë! Nga Kavaja heroike e qëndresës, përballjes dhe fitores do të nisë ringritja e Shqipërisë”.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel