Gabim me votat e PDIU, por Idrizi ende larg mandatit

28/06/2017 00:00

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ditë pas përfundimit të numërimit të votave në të gjitha KZAZ-të e vendit ka nisur grumbullimi i procesverbaleve me rezultatet për çdo qark.

Drejtoria e të Dhënave në KQZ, si në çdo proces zgjedhor duhet të kontrollojë të gjitha të dhënat e hedhura nga sekretarët dhe komisionerët e KZAZ-ve për të certifikuar më pas edhe rezultatin përfundimtar të mandateve të deputetëve të rinj në Parlamentin e ardhshëm.

Por, me mbylljen e procesit të numërimit, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit ka bërë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të rishqyrtuar 30 vota në KZAZ 35 në njësinë 5 në Tiranë, që në tabelat e rezultatit përfundimtar paraprak i janë regjistruar një partie tjetër.

Top Channel u interesua në KQZ, ku thonë se kjo situatë mund të ketë ndodhur si pasojë e një gabimi të sistemit elektronik, por çka është më e rëndësishmja, një numër i tillë nuk ndryshon ndarjen e mandateve të deputetëve të Tiranës.

Kërkesa e PDIU-së nuk do të konsiderohet një ankimim, pasi në Drejtorinë e të Dhënave në institucionin kryesor të zgjedhjeve, çdo procesverbal me rezultatet e dërguara nga të gjitha KZAZ, kontrollohet për parregullsi.

Deri më tani, kjo kërkesë e PDIU është e vetmja e dërguar në KQZ nga partitë për parregullsi në proces. Një ditë më parë ish-deputetja Mesila Doda foli për 16 raste kur janë bërë gabime me votat e PDIU në Tiranë dhe sipas saj, rivendosja e saktë e të dhënave rikthen mandatin për kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Top Channel