Kutia e fundit, numërimi në njësinë 5 në Tiranë

27/06/2017 00:00

Partia Socialiste dhe mbështetësit e saj nisën festën në shesh, teksa në njësinë 5 po numëroheshin votat e fundit, në KZAZ nr 35.

Socialistët e dinin mirë se votat e fundit, që do të mbyllnin zyrtarisht procesin e numërimit, nuk do ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve, fitoren e Partisë Socialiste në zonën bastion të saj. Por, ato vota ishin të rëndësishme për partinë çame dhe veçanërisht për Shpëtim Idrizin, që luftoi deri në votën e fundit për të fituar mandatin e deputetit.

Nga dy kutitë e fundit të votimit, PDIU mori 74 vota, pjesa më e madhe e të cilave nga zona e Selitës, por as ato nuk mjaftuan që rezultati të përmbysej. 

Kjo ishte një nga të papriturat e zgjedhjeve parlamentare të këtij vitit, ku veçanërisht në njësinë numër 5 Idrizi konkurronte me Blushin, pavarësisht se LIBRA ishte vazhdimisht më përpara me vota, rezultat që më vonë u konfirmua edhe nga KQZ-ja.

Por, kjo ishte vetëm një pjesë e asaj që ndodhi brenda KZAZ nr. 35, nga ku mbështetësit e PDIU-së ikën të zhgënjyer dhe tepër të mërzitur. Mbështetësit e Partisë Demokratike gjithashtu prisnin më shumë, po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe LIBRA.

E kundërta dukej në radhët e mbështetësve të Partisë Socialiste dhe Pandeli Majkos. Atmosfera e tyre ishte festive. Festë kjo që, sipas tyre, do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit.

Top Channel