Kukan: Zgjedhjet, hap para. Qetësia, standard për procesin

27/06/2017 00:00

Eduard Kukan mendon se, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit janë një lloj hapi përpara. “Unë e bëj krahasimin me zgjedhjet e kaluara, të cilat i kam ndjekur edhe ato nga afër”, pohon për “Deutsche Welle”-n, kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Dhe mund të them se, këto të fundit janë më të mira. Kjo është një garë, ku ka fitues dhe të humbur, – shton ai, – kështu që kuptohet se, një pjesë prej tyre kanë qenë të gëzuar me atë që po ndodh, janë të kënaqur me shifrat. Të tjerët janë përballë treguesve që nuk i kanë pritur. Por aktiviteti politik kështu e ka”.

“Ajo që dua të theksoj është se, fitues e humbës duhet të bëjnë gjithçka që të mbahet një klimë e qetë, e atyre që janë duke punuar në komisione t’u krijohet mundësia që të bëjnë sa më mirë dhe sa më shpejt detyrën”, shton më tej Kukan.

“Klima e qetë politike duhet të jetë një standard i pandryshuar në proceset zgjedhore. Këtë herë situata ka qenë më e qetë, kjo falë dhe marrëveshjes pozite-opozitë që u arrit pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve. E përsëris, Shqipëria ka nevojë për një klimë të qetë në përballimin e zgjedhjeve. Kjo krijon besim dhe siguri te njerëzit”, tha ai.

Pas zgjedhjeve, Kukan pret krijimin e institucioneve të reja bazuar nga rezultatet e tyre. “Fituesit të fillojnë menjëherë të realizojnë ato që kanë premtuar, – shprehet ai, – duke treguar se kanë qenë seriozë në programet që kanë treguar gjatë fushatës”. Për të shtuar se, nisur nga realiteti shqiptar, pret që të mos ketë bojkot të institucioneve nga opozita.

Top Channel