Tahiri: Votë historike, presim mandatin e 18 në Tiranë

26/06/2017 00:00

Saimir Tahiri vlerësoi si votë historike, këtë votim në masë në favor të Partisë Socialiste.

Nga selia e PS, ish ministri i Brendshëm falënderoi të gjithë qytetarët, komisionerët dhe numëruesit, që kontribuan në një proces majft të mirë zgjedhor.

“Kjo është një votë historike që na kujton se shqiptarët na kanë dhënë më shumë përgjegjësi për të qeverisur. Duhet t’i përgjigjemi në mënyrën më të mirë të mundëshme çdo vote të shqiptarëve dhe ta çojmë tepsinë për skrap. Falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, komisionerët dhe numëruesit, të cilët po kontribuojnë në një proces mjaft të mirë zgjedhor”, tha Tahiri.

Si drejtues i fushatës në kryeqytet, Tahiri vlerësoi edhe rezultatin mjaft të mirë të PS në Tiranë, si dhe theksoi optimizmin për një mandat të 18 në këtë qark.

“Tirana ka qenë lokomotiva e kësaj fitoreje të Partisë Socialiste dhe uroj që të arrijmë të marrim edhe mandatin e 18 në kryeqytet”, u shpreh ish ministri. 

Në fund Tahiri vlerësoi këtë fitore të PS si një përgjegjësi shumë më e madhe për të qeverisur në katër vitet e ardhshme.

“Kjo votë është pa diskutim një përgjegjësi akoma më e madhe dhe ne këtë e kemi kuptuar shumë më herët. Ky proces zgjedhor na motivoi që të rikuperojmë kohën e humbur në më shumë se 20 vite”, tha Tahiri. 

Top Channel