OSBE/ODIHR për votimin: Marrëveshja, zgjedhje të qeta

26/06/2017 14:55

Vëzhguesit ndërkombëtarë e paralajmëruan me një batutë që në fillim vlerësimin përgjithësisht pozitiv për zgjedhjet.

“Jam i gëzuar që dita e zgjedhjeve ishte më pak e nxehtë sesa moti”, tha njëri nga përfaqësuesit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë i dhanë meritën kryesore të zhvillimit të qetë të zgjedhjeve marrëveshjes politike të 18 majit: “Garuesit ishin në gjendje të bënin lirisht fushatë dhe liritë themelore u respektuan”.
 
Por, marrëveshja politike, sipas vëzhguesve, kishte edhe anën tjetër të medaljes: “Marrëveshja krijoi sfida për administratën shtetërore, që rezultoi në një zbatim selektiv dhe jo konsistent të ligjit”.

Në deklaratën e përbashkët, vëzhguesit ndërkombëtarë treguan dy faktorë që vazhdojnë të jenë problem në zgjedhjet shqiptare: “Politizimi i vazhdueshëm i trupave dhe institucioneve zgjedhore, si dhe akuzat gjerësisht të përhapura për blerje vote dhe presion ndaj votuesve, reduktuan besimin publik tek procesi zgjedhor”.
 
Vëzhguesit nuk dhanë një përkufizim se në çfarë niveli Shqipëria i kishte përmbushur standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat janë një nga kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, megjithëse Eduard Kukan siguroi se Shqipëria është shumë lart në axhendën europiane, ai tha se çfarë pritej ende nga zgjedhjet.

“Ne presim që rezultati të njihet nga të gjitha partitë, çka do të çonte në krijimin e qeverisë që ka rëndësi kyçe në çdo proces demokratik. Edhe ne po presim në Bruksel, jo vetëm se si u zhvilluan zgjedhjet, se si u bë fushata, por gjithashtu edhe se si do të kryhet tranzicioni. Nëse kreu i partisë humbëse do të pranojë humbjen, do të urojë fituesin, apo nëse fituesi do të respektojë humbësin. Kjo ndodhi në zgjedhjet e kaluara. Të paktën kjo duhet përsëritur. Kur komisioni të shkruajë raportin, do t’i ketë parasysh këto”, tha Kukan.

Përveç zgjedhjeve, Eduard Kukan nuk harroi të përmendë si faktor kyç për hapjen e negociatave zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut.

Top Channel