Basha voton, apel qytetarëve: Me votë mund të ndryshoni jetën tuaj

25/06/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka votuar paraditen e së dielës në qendrën e votimit në çerdhen numër 13, në njësinë numër 8 të kryeqytetit, ku dhe është rritur.

Veç urimeve për festën e Bajramit, Basha u ka dërguar qytetarëve edhe mesazhin për një pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje, si mënyra e vetme për të ndryshuar jetën e tyre.

“Sot është dita kur vendosim me votë, kur merret vendimi nga qytetarët për qytetarët. Ndaj iu drejtohem atyre, mos mungoni në këtë ditë të madhe. Vetëm përmes votës mund të ndryshohet shqipëria dhe jeta juaj. Këtë mesazh e kam për ata qytetarë që nuk shohin shpresë në vendin e tyre. Vetëm me votën tuaj mund të ndryshoni jetën tuaj. Ndaj mos mungoni ditën e votimit, kur do vendosni për 4 vitet e ardhshme. Askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga kjo garë. Ejani të arrijmë etapën e qytetarisë europiane përmes pjesëmarrjes masive”, ka thënë Basha.

Top Channel