Veliaj në “Top Story”: Suksesi i sheshit, përtej pritshmërive

21/06/2017 00:00

Para dy vjetësh Erion Veliaj u fut në bashkinë e Tiranës si kryetar i saj dhe që nga ai moment, ka qenë shpesh herë në studion e “Top Story”.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë emisioni me të nuk u realizua në studion televizive.

Arsyeja është sheshi “Skënderbej”, i cili ka marrë një formë të re, në 100 vjetorin e themelimit të tij.

“Herën e fundit kemi qenë në një situatë kantieresh. Pazari i Ri ka qenë kantier, bulevardi i ri ka qenë kantier, sheshi ‘Skënderbej’ po ashtu,”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se është i befasuar me suksesin dhe pritjen që i është bërë sheshit, nga publiku, qofshin ata vendas, apo vizitorë të huaj.

“Ka qenë përtej pritshmërive të mia dhe në një bisedë me Edi Ramën rezulton të jetë jashtë pritshmërisë edhe të tij. Mendonim se sheshi do të ishte popullor, por jo me këtë frekuentim kaq të madh dhe në orët e vona. Ka qenë edhe një lloj shpagimi e të gjithë atij helmi që me sportivitet ballkanik derdhet për çdo projekt publik. E vetmja garanci që kisha është se po ashtu si këndi i lodrave që u parapri me një histeri të jashtëzakonshme, isha i bindur që do të ishte sukses. Në këto përmasa ishte habi edhe për mua dhe më rezulton edhe për Edin”, u shpreh kreu i Bashkisë Tiranë.

Top Channel