Republikanët e Trumpit kalojnë testin në Georgia

21/06/2017 08:40

Donald Trump kalon testin e Georgias. Republikanët triumfuan në zgjedhjet e forta të këtij shteti, të konsideruara një referendum ndaj Presidencës së miliarderit njujorkez.

Karen Handel e ruajti vendin e saj në Kongres me 53% të votave, ndërsa rivali demokrat Jon Ossoff mori 47%.

Distrikti i 6 i Georgias është një vend tradicionalisht i sigurtë për republikanët, por demokratët shpresonin shumë që të përfitonin nga niveli i ulët i popullaritetit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, të dëshmuar nga sondazhet e fundit të opinionit.

Vendi kishte mbetur bosh, kur Tom Price u largua për të zënë postin e Sekretarit të Shëndetësisë.

Handel falënderoi pas triumfit të saj figurat kyçe të partisë, sidomos presidentin Trump, ndërsa Ossoff tha se edhe demokratët duhet të festojnë, pasi e shndërruan bastionin konservator në një rajon kompetitiv.

Besohet se të shtënat e javës së kaluar në një fushë bejzbolli të Virxhinias, ku mbetën të plagosur 5 persona, mes të cilëve edhe kongresmeni Steve Scalise, kanë qenë favorizuese për republikanët në këto votime.

Deri tani, këtë vit, ata kanë mundur të shmangin çdo humbje përballë demokratëve. Në prill arritën të mbronin, edhe pse me vështirësi, një vend të Kongresit në Kansas, të mbetur vakant kur Trump caktoi Mike Pompeon në krye të CIA-s, ndërsa muajin e kaluar, republikani Greg Gianforte fitoi zgjedhjet në Montana, pavarësisht akuzave se kishte sulmuar fizikisht një gazetar anglez.

Top Channel