Blofi i senatorit Rubio

21/06/2017 00:00

A ju ka ndodhur ndonjëherë të gjendeni në një situatë, kur ju niseni për një përqafim, por personi përballë nuk ka aspak ndër mend të bëjë të njëjtën gjë?

Senatori republikan Marco Rubio e njeh ndjesinë. Ai po merrte pjesë në një takim me udhëheqës të biznesit të martën, bashkë me vajzën e presidentit Trump, Ivanka, kur u gjend në mes të këtij ndërveprimi të dështuar.

Përdoruesit e medieve sociale ishin të shpejtë në evidentimin e kësaj çudie. Por nuk vonuan të reagonin ndaj shakave të shumta në rrjet edhe vet protagonistët.

Senatori Rubio iu përgjigj shakave që bëheshin për të, me një seri postimesh plot humor në “Twitter”. Disa minuta më vonë dhe me një hetim në vijim e sipër, Ruboi ofroi edhe prova të tjera të ndërveprimit, e më pas u kërkoi ndihmë përdoruesve të medieve sociale.

Ai postoi edhe foto, ku takimi mes tyre dukej më pak i çuditshëm. E më në fund, senatori vendosi të mbyllte hetimin, duke pretenduar se nuk kishte pasur asnjë përqafim. Ajo që filloi si një shaka mbi një përqafim të sikletshëm, u shndërrua edhe në kritika, ndërsa përdoruesit e medieve sociale reagonin ndaj hetimit të senatorit.

Një përdorues shkruante: Moment gjigant, sigurisht, por a mund të na jepni ndonjë detaj për ligjin mbi kujdesin shëndetësor? Faleminderit!

Një tjetër shkruante: Mik, ti nuk po bën mirë punën tënde, mos u lodh kot me komedinë.

Ndërsa mëngjesin e së mërkurës, disa orë pasi gjithçka dukej e mbyllur, vjen një postim i ri nga vet Ivanka Trump.

“Burime anonime thonë se Marco Rubio kishte planifikuar një përqafim të dështuar. Unë nuk kam asnjë koment, por do ta kisha përqafuar atë sidoqoftë”.

E më pas, në një tjetër postim, ajo shkruante se e gjitha kjo ishte një lajm i rremë, por konfirmoi se përqafimi ishte bërë në përfundim dhe kishte qenë më shumë sesa i kënaqshëm.

Top Channel