Vdekja misterioze e studentit amerikan të kthyer nga Koreja e Veriut

20/06/2017 00:00

Otto Warmbier, studenti amerikan i burgosur në Korenë e Veriut për më shumë se 15 muaj, ndërroi jetë një javë pas mbërritjes në shtëpi, e zërat që duan të dinë se çfarë ndodhi saktësisht me të janë shtuar ndjeshëm.

Pretendimet e Penianit se 21-vjeçarit iu dha një ilaç për gjumë, sepse kishte shfaqur shenja botulizmi dhe pas kësaj kishte rënë në koma e nuk ishte zgjuar më, pakkush i beson.

Mjekët amerikanë kanë dalë në përfundimin se Warmbier kishte dëmtime të trurit, por nuk gjetën shenja të abuzimit fizik. Familja, ndërkohë, është e bindur se i riu është përballur me një trajtim të tmerrshëm në burg dhe me tortura.

Presidenti Donald Trump deklaroi se ngjarja e rëndë e rrit vendosmërinë e administratës së tij për të parandaluar që njerëzve të pafajshëm t’u ndodhin tragjedi të tilla në duart e regjimeve, të cilat nuk respektojnë sundimin e ligjit apo standardet bazike njerëzore.

“Otto Warmbier kaloi një vit e gjysmë në Korenë e Veriut. Shumë gjëra të këqija ndodhën atje, por të paktën arritëm ta sjellim në shtëpi te prindërit e tij. Po flasim këtu për një regjim brutal. Ne do të jemi në gjendje të merremi me të”, tha Trump.

Peniani pretendon se ishin arsyet humanitare, ato që e shtynë ta kthente mbrapsht 21-vjeçarin e dënuar në vendin komunist me 15 vite punë të detyruar, për vjedhjen e një posteri në hotelin ku qëndronte.

Mjekët shpjegojnë se ai nuk ishte në gjendje të fliste, shikonte dhe as t’u përgjigjej komandave verbale. Të afërmit vazhdojnë të këmbëngulin se keqtrajtimi i tmerrshëm i të riut në duart e koreano-veriorëve bëri që vdekja të ishte rezultati i vetëm i mundshëm i situatës së tij.

Top Channel