Vapa nëpër botë, dita më e nxehtë në Angli

20/06/2017 00:00

Shumë nxehtë është për avionët në Phoenix të Arizonës, ku janë anuluar me dhjetëra fluturime. Parashikimet janë që temperaturat të mbërrijnë deri në 49 gradë Celsius.

I nxehti është arsyeja që shumë vende të Lindjes së Mesme dhe disa aeroporte të Amerikës së Jugut i vendosin orarët e fluturimeve të gjata vetëm në mbrëmje, kur është më freskët.

Me termometrin që pritet të shënojë maksimumi 33 gradë Celsius gjatë ditës së martë, britanikët përgatiten për temperatura edhe më të larta të mërkurën, që do ta kthenin atë në ditën më të nxehtë të qershorit në vend, prej të paktën 176 vitesh.

Krerët sindikalistë bëjnë thirrje që, nëse i nxehti nuk bie, autoritetet të mendojnë për lehtësimin e kodit të veshjes së punëtorëve. Sipas tyre, nëse gjendja paraqitet mjaft serioze, njerëzit duhen lejuar të shkojnë në shtëpi më shpejt.

Moti i nxehtë dhe erërat kërcënojnë seriozisht përpjekjet e zjarrfikësve në Portugali për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore, që kanë marrë 64 jetë njerëzish që prej ditës së shtunë. Zyrtarët e Mbrojtjes Civile thonë se 70% e flakëve tashmë janë frenuar, por vatrat ekzistuese vazhdojnë të përbëjnë një shqetësim të madh për ta, e të ndihmuara nga i nxehti, zjarret mund të marrin hov sërish.

Temperaturat e larta ua shtojnë mundimin refugjatëve në Mosul. Zhiva e termometrit atje shënon 40 gradë, duke ua ashpërsuar sfidat e mbijetesës banorëve të bllokuar në qytet dhe atyre që jetojnë në kampet e të shpërngulurve. Shumë fëmijë e të moshuar kanë shenja dehidratimi, ndërsa vendasit tregojnë se është aq vapë, sa edhe natën detyrohen të flenë jashtë tendave.

Top Channel