Belgjikë, shpërthim në stacionin e trenave në Bruksel. Vritet agresori

20/06/2017 00:00

Paniku ka përfshirë pak minuta më herët kryeqytetin belg, Bruksel, në stacionin qendror të trenave të të cilit ka pasur një shpërthim.

Policia belge ka raportuar se ka qëlluar ndaj agresorit, i cili mbante të veshur një rrip eksplozivi në stacionin qendror.

Megjithatë, vendin e ngjarjes e mësynë shumë shpejt trupat ushtarake, sapo mësuan rreth raportit për shpërthim në terminalin qendror.

Përmes një statusi në “Twitter”, policia belge njoftoi se incidenti që përfshinte vetëm një individ është vënë tashmë nën kontroll.

Mediet lokale konfirmuan gjithashtu neutralizimin e personit të dyshuar. Dhjetëra makina policie rrethuan zonën dhe evakuuan pasagjerët në stacionin e trenave, mes një situate paniku.

Në mars të vitit 2016, 32 persona humbën jetën nga sulmet e kryera në aeroportin e Brukselit dhe në sistemin e metrove, sulme që u morën përsipër nga Shteti Islamik.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel