SHBA, gjendet trupi i pajetë i 17-vjeçares myslimane

19/06/2017 00:00

Policia në shtetin amerikan të Virxhinias ka gjetur trupin e një 17-vjeçareje myslimane, që u sulmua në afërsi të një xhamie para se të zhdukej.

Adoleshentja, e identifikuar si Nabra Hysein, po ecte bashkë me disa shoqe të saj, kur ato u gjendën përballë një sulmi verbal nga një shofer në Herndon. Shoferi kishte dalë nga makina dhe kishte sulmuar vajzën, e më pas ajo ishte zhdukur.

Autori i dyshuar, një 22-vjeçar, është arrestuar dhe tani akuzohet për vrasje. Arsyeja e sulmit është ende e panjohur, por krimi i urrejtjes është një nga opsionet që po merret në konsideratë nga policia.

“Washington Post” raportonte se një grup prej 4 apo 5 adoleshentesh, mes të cilave edhe Nabra, kishin qenë në një restorant “Fast Food” për të ngrënë një vakt të vonë, ndërkohë që myslimanët aktualisht kanë nisur agjërimin e Ramazanit.

Rreth orës 4 të mëngjesit, vajzat ishin përballur me shoferin teksa ecnin në rrugë. Shoqëria myslimane e zonës “All Dulles”, një qendër lokale komunitare, tha se anëtarë të saj i kishin dalë para adoleshenteve dhe i kishin shoqëruar në godinën e tyre. Por Nabra kishte mbetur prapa dhe më pas ishte raportuar e zhdukur.

Gjatë kërkimeve, në të cilat u angazhua edhe një helikopter, policia tha se kishte ndaluar një makinë në zonë dhe shoferi, i identifikuar si Darvin Martinez Torres, është arrestuar. Më vonë, policia kishte gjetur trupin e pajetë të adoleshentes, në një gropë rreth 5 kilometra larg nga zona e incidentit. Një shkop bejzbolli ishte gjetur po ashtu.

Autopsia po kryhet për të konfirmuar zyrtarisht identitetin dhe shkakun e vdekjes. Ndërkohë, nëna e adoleshentes, Sausan Gazzar tha për “Washington Post” se, mendonte që gjithçka kishte të bënte me mënyrën sesi ishte veshur e bija dhe faktin se ajo ishte myslimane.

Top Channel