Londër, rëndohet bilanci i viktimave nga zjarri

19/06/2017 00:00

Plot 79 persona janë të vdekur, apo të zhdukur që supozohen tani të vdekur, pas zjarrit në kullën “Grenfell”. Bilanci është konfirmuar nga policia, sipas të cilës mund të ketë ende ndryshime.

Zjarri përfshiu bllokun shumëkatësh të banesave në “Kensington”-in verior, në perëndim të Londrës, pak para orës 1:00, me atë lokale, më 13 qershor.

Shumë nga familjet e prekura kanë humbur më shumë se një të afërm. Nga të plagosurit, 18 vetë mbeten në spital, 9 prej të cilëve në gjendje kritike.

Prioritet i policisë tani është identifikimi i viktimave dhe gjetja e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Por është paralajmëruar se, jo të gjitha viktimat mund të identifikohen dhe se operacioni do të zgjasë për shumë, shumë javë.

Një minutë heshtjeje është mbajtur në të gjithë Britaninë e Madhe në orën 11, sipas asaj lokales, të së hënës, në nder të viktimave.

Më herët, policia kishte publikuar pamje të reja nga pjesa e brendshme e ndërtesës shumëkatëshe, që tregonin shkallën e shkatërrimit. Sipas zyrtarëve, hetimi i policisë do të jetë i thellë, duke filluar që nga ndërtimi i godinës, shërbimi më i fundit i mirëmbajtjes, e deri te menaxhimi dhe masat e sigurisë ndaj zjarrit.

Qeveria ka dërguar një ekip të sajin në ndihmë të shërbimeve të emergjencave, ndërkohë që të dielën, kryeministrja May lajmëroi për një fond prej 5 milionë paundësh në ndihmë të familjeve të prekura. Çdo familje që ka humbur shtëpinë do të marrë të paktën 500 paund “cash” dhe 5.000 të tjera të paguara në llogari bankare.

Top Channel