Zjarret në Portugali, 3 ditë zie në nder të viktimave

18/06/2017 00:00

Portugalia ka shpallur tre ditë zie kombëtare për 62 viktimat e një prej zjarreve më vdekjeprurëse në pyjet e vendit.

Katër fëmijë janë mes viktimave, shumë prej të cilave janë gjetur brenda në makina ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga rajoni i Pedrogao Grandes. Qindra zjarrfikës vazhdojnë ndërkohë të luftojnë me flakët në shumë fronte.

Kryeministri i vendit, Antonio Costa, e quajti ngjarjen tragjedinë më të madhe të shënuar në vitet e fundit.

“Unë nuk dua ende të flas për shkaqet e zjarrit, sepse ne përballemi me tragjedinë më të madhe të jetëve njerëzore deri më tani, ajo që duhet të bëjmë tani është të angazhojmë të gjitha kapacitetet e mundshme në luftë kundër zjarrit”, u shpreh Antonio Costa, kryeministër i Portugalisë.

Katër zjarrfikës janë mes 54 personave të lënduar nga flakët që kanë përfshirë disa pjesë të zonës malore rreth 200 km në veri lindje të kryeqytetit Lisbonë. Ekziston ndërkohë frika se bilanci i viktimave mund të rritet pasi një numër personash mungojnë në apel.

Shërbimet e emergjencave janë angazhuar në 156 zjarre në të gjithë vendin me kryeministrin Kosta që tha se pjesa më e madhe e viktimave ishin regjistruar vetëm në një prej tyre. Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e viktimave kishin humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi dhe djegiet ndërsa dy ishin vrarë në aksidente rrugore të lidhura me zjarret. 30 trupa ishin gjetur brenda makinave dhe 17 të tjerë pranë tyre në një rrugë lokale.

Sipas kryeministrit, vetëm 11 zjarre janë ende aktive por autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për dy prej tyre. Në vendngjarje janë dërguar edhe dy batalione të ushtrisë për të ndihmuar shërbimet e emergjencave.

Top Channel