Putin paralajmëron SHBA: Sanksionet rrezikojnë marrëdhëniet

18/06/2017 00:00

Ende nuk është e qartë nëse projektligji për sanksionet kundër Rusisë i miratuar në senatin amerikan do të marrë vërtetë formën e ligjit.

Por numri një i Kremlinit tregoi si masë paraprake kartonin  e verdhë duke kërcënuar tërthorazi. “Natyrisht qe kjo do t’i komplikojë marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit’- ishte deklarata e Vladimir Putin për kanalin televiziv Rossiya 1.

Qëndrimin e Shteteve të bashkuara të Amerikës presidenti rus e konsideron si të rrezikshëm. Edhe pse pohoi se është shume herët për të folur për kundërmasa, Putin theksoi se vendi i tij nuk do te rrinte duarkryq.

Ai nuk dha detaje për masat që mund të marrë Rusia, por u kujdes të sqaronte se ato nuk do të shkaktojnë ndonjë kolaps. Senati amerikan votoi të enjten me shumicë dërrmuese pro sanksioneve të reja kundër Moskës, për shkak të ndërhyrjes së dyshuar ruse në fushatën presidenciale amerikane.

Projektligji parashikon sanksione kundër kompanive që kontribuojnë me furnizime me pjesë  këmbimi, shërbime ose teknologji “drejtpërdrejt” për ndërtimin ose mirëmbajtjen e gazsjellësve rusë. Si masa sanksionuese parashikohet përjashtimi i Rusisë nga tenderët publikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose kufizimi i huamarrjeve nga bankat amerikane deri në masën dhjetë milionë dollarë brenda dymbëdhjetë muajsh.

Nga masat rrezikojnë të preken edhe sipërmarrjet evropiane, e për këtë arsye janë kritikuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel e udhëheqës të tjerë evropianë.

Top Channel