
Qeveria kubane, por edhe njerëzit e thjeshtë kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Donald Trump për të rikthyer kufizimet në marrëdhëniet me ishullin e izoluar prej Amerikës për më shumë se 50 vjet.
Trump njoftoi të premten nga Majemi planin e tij për të shfuqizuar një sërë elementesh të marrëveshjes historike të ndërmarrë nga paraardhësi i tij, Barak Obama për normalizimin e raporteve me Havanën.
Ekzekutivi kuban i dënoi masat e reja që forcojnë sërish bllokadën, por shtoi se mbetet e hapur për vazhdimin e një dialogu, ku të mbizotërojë respekti për tjetrin. Njoftimi u lexua në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në televizionin shtetëror.
“Qeveria kubane thekson edhe njëherë vullnetin e saj për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në çështjet e interesit të përbashkët. Por, SHBA nuk duhet të presë nga Kuba lëshime përsa i takon sovranitetit e pavarësisë së vet. Ne nuk do të pranojmë të na vihet asnjëlloj kushti”, thuhet në njoftim.
Reagimet nuk kane qenë vetëm në nivel qeveritar.
“Retorikë e dobët. Shumë e keqe vërtet. Një retorikë që kthehet në kohët më të vështira të marrëdhënieve kubano-amerikane. Procesi i normalizimit ka ngrirë dhe duhet të presim derisa kushtet të ndryshojnë sërish”, thotë një ish-diplomat kuban.
“Politika e bllokadës është implementuar për një kohë kaq të gjatë. Është koha për ndryshime, sepse nga bllokada nuk përfiton askush”, thotë një kubano-amerikane.
“Granma”, gazeta zyrtare e komitetit qendror të Partisë Komuniste kubane shkruan se Trump dhe administrata e tij, që gjithmonë e trumpetojnë me të madhe demokracinë dhe lirinë, sapo kanë injoruar opinionin publik në SHBA, pasi sondazhet e këtij muaji tregonin se 75 përqind e amerikanëve e mbështesin politikën e Obamës ndaj Kubës.
Top Channel