Ditëlindja e Mbretëreshës, mesazhi për zjarrin në Londër dhe sulmet e fundit

17/06/2017 00:00

Mesazhin e saj zyrtar të ditëlindjes Mbreteresha Elisabete e fokusoi tek zjarri që përfshiu ditë më parë kullen Grenfell dhe sulmet e kohëve të fundit në vend.

“Britania, tha monarkja, ka dëshmuar një seri tragjedish të tmerrshme të cilat erdhën njëra pas tjetrës. Por e vendosur përpara sprovave të vështira, ajo sërish arriti ta tregojë vendosmërinë e vet përballe fatkeqësisë”.

Mbretëresha dhe duka i Cambridge-it ishin takuar me herët me vullnetarë, banorë dhe përfaqësues të komunitetit gjatë vizitës në një strehë të përkohshme, të ngritur për të mbijetuarit e zjarrit që e përfshiu ndërtesën shumëkateshe me një shpejtësi tmerruese.

Mesazhi i saj pasoi protestat e së premtes në Londër, ku rezidentët kërkuan më shumë ndihmë dhe përkrahje për të prekurit nga fatkeqësia. Dhjetëra vetë mësynë njësinë bashkiake të Kensingtonit me thirrjet: Personave të mbetur të pastrehë u nevojitet ndihmë tani!!!”. Skena zemërimi pati edhe në zona të tjera, ndërsa nuk kanë munguar përplasjet.

Zemërimin dhe indinjatën e banorëve të kryeqytetit e ushqen fakti që panelet izoluese, të vendosura gjatë rikonstruktimit të strukturës 24 katëshe, kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve nga kati në kat. The Guardian thotë se kontraktuesit kanë përdorur një material shumë të lirë dhe jo rezistent ndaj zjarrit, çka duket është bërë shkas për këto përmasa të tragjedisë.

“Ne duam drejtësi”, thërrisnin një pjesë e protestuesve që mbanin në duar fotografi të të zhdukurve. Është konfirmuar tashmë se 30 vetë gjetën vdekjen mes flakëve, por bilanci real i viktimave mund të jetë më i lartë se kaq.

Qeveria britanike, e cila ka premtuar një hetim të plotë publik mbi ngjarjen, njoftoi se një fond prej 5 milionë paundësh do të përdoret për të ndihmuar të prekurit nga fatkeqësia.

Top Channel