Viktimat e Londrës nga zjarri nuk do të identifikohen kurrë

16/06/2017 00:00

Viktimat e kullës “Grenfell” mund të mos identifikohen kurrë të gjitha. Policia londineze paralajmëron se kjo mund të jetë një detyrë e pamundur për të.

Plot 30 të vdekur është bilanci zyrtar i tragjedisë, por të zhdukurit nga zjarri, që shkrumboi ndërtesën shumëkatëshe në perëndim të kryeqytetit britanik, janë me dhjetëra, e mes tyre ka edhe familje të tëra.

Kryeministrja Theresa May, e përballur me një rrebesh kritikash për faktin se nuk takoi të mbijetuarit e fatkeqësisë gjatë vizitës në vendngjarje, kërkon hetim të plotë e këmbëngul se viktimat meritojnë përgjigje.

Autoritetet po shpresojnë që numri i jetëve të humbura të mos mbërrijë në 100, apo më shumë.

Vëllai i personit të parë të identifikuar si viktimë e ferrit të flakëve, refugjatit sirian Mohammed al Haj Ali, i cili në Londër studionte për inxhinjeri, tregoi për “Reuters” momentet e tmerrit të përjetuar sidomos kur kuptoi se 23-vjeçari kishte mbetur prapa.

Omar al Haj Ali tregon sesi atë e nxorën nga godina, por të vëllanë jo.

“U ktheva të shikoja, por nuk e pashë tim vëlla. Kërkoja të dija ku është, e askush nuk më përgjigjej. E thira me të madhe, pastaj folëm në telefon. Më tha që është ende brenda apartamentit. I bërtita se përse nuk doli. ‘Na nxorën jashtë, mendova se ishe me ne’. Por ai më tha se nuk e morën. E lanë aty. E lanë dhe ikën pa të”, tha Omar al Haj Ali, i mbijetuar.

Në kërkimin e arsyes përse kulla u dogj aq shpejt, vëmendja po spostohet gjithmonë e më shumë te shtresa e përdorur për mbulimin e strukturës metalike. Ekspertët janë të mendimit se mund të ishte përdorur një lloj tjetër materiali, shumë më rezistent ndaj zjarrit. Kjo ka nxitur thirrjet për verifikimin e godinave të tjera, të cilat mund të jenë gjithashtu të rrezikuara nga i njëjti problem.

Top Channel