Rusia: E vramë al-Baghdadin

16/06/2017 00:00

Ministria ruse e Mbrojtjes po heton për të parë nëse njëri prej sulmeve të saj ajrore i ka marrë jetën udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.

Moska beson se bombardimet e saj nga ajri mund të kenë vrarë al-Baghdadin dhe qindra luftëtarë të tjerë të grupit të dhunshëm islamik më 28 maj.

Shënjestra e sulmit ka qenë një mbledhje e Këshillit ushtarak të ISIS-it, në kryeqytetin “de facto” të tij, Raqqa, në veri të Sirisë.

Deklarata e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, publikuar nga agjencia shtetërore “Sputnik”, pohon se në takim ishin të pranishëm 30 krerë të Shtetit Islamik dhe gati 300 luftëtarë. Duke cituar informacionet e përftuara nga verifikimet e kryera përmes kanaleve të ndryshme, aty sqarohet se i pranishëm në mbledhje ka qenë edhe vet njeriu që mban frerët e organizatës më të frikshme terroriste të momentit.

Raporte për vdekjen e al-Baghdadit ka pasur edhe më parë. Vendndodhja e tij është prej kohësh një mister, edhe pse ka zëra që këmbëngulin se ishte në Mosul të Irakut përpara se koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të niste tetorin e vitin 2016 operacionin për rimarrjen e qytetit.

Por “Reuters” thekson se al-Baghdadi është fshehur në shkretërirë, duke mos preferuar të qëndrojë as në Mosul e as në Raqqa. Shfaqja e tij e vetme në publik, që prej shpalljes së kalifatit, ka qenë qershorin e vitit 2014, kur mbajti një predikim në qytetin e dytë më të madh të Irakut, pas rënies së tij në duart e ISIS-it.

Al Baghdadi, i cili besohet ta ketë zgjedhur këtë si emër lufte, pa dhënë emrin e tij të vërtetë, thuhet të jetë lindur në vitin 1971 në Samarra, në veri të kryeqytetit irakian. Ai ka qenë klerik në një xhami të Bagdadit në kohën e pushtimit amerikan në vitin 2003. Disa mendojnë se ishte një militant xhihadist që gjatë kohës së sundimit të Saddam Husseinit, por të tjerë thonë se u radikalizua gjatë 4 viteve të kaluara në kampin “Bucca”, një burg amerikan në jug të Irakut, ku mbaheshin prapa hekurave shumë drejtues të al-Qaedës.

Amerika ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, për këdo që ofron informacione të cilat çojnë në kapjen apo në vdekjen e tij.

Top Channel